Pikërisht në 27 vjetorin e fillimit të bombardimeve që e ccliruan Kosovë, në Rahovec u gjetën dëshmi të radhës që e arsyetojnë ndërhyrjen e NATO-s.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, bëri me dije se në lokacionin “Përzhina”, u gjetën eshtra të Rahovecit, që i perkasin së paku një personi.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur
Gara: Eshtrat u gjetën në zonën që gërmohet tash e 27 vjet
“Do të presim pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore për të konfirmuar numrin e saktë të individëve, viktimave të zhvarrosura. Në këtë lokacion do të vazhdojmë të jemi të angazhuar edhe ditët në vijim, meqë siç kemi prezantuar, është një hapësirë tanimë e shënjuar, e cila po trajtohet në vazhdimësi këto 27 vite, në kuptimin që qysh në vitet e para të pasluftës, muajt e parë të pasluftës nga ekipet mjeko-ligjore gjermane, pastaj diku në vitin 2002 dhe 2007 nga ekipet mjeko-ligjore ndërkombëtare në kuadër të misionit të UNMIK-ut dhe së fundmi sigurisht ne si Komision Qeveritar bashkë me kolegët e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe kolegët e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, jemi rikthyer në këtë lokacion. Me shumë bazë të të gjitha të dhënave që kemi siguruar, të shqyrtuara ose të analizuara në mënyrë të hollësishme, kemi konkluduar që në këtë zonë, në këtë lokacion vazhdojnë të jenë ose mund të jenë mbetje mortore, trupa të të tetë viktimave të luftës, ose të paktën pesë nga të cilët vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur.
Gara tha se janë edhe 10 lokacione që do të gërmohen në javët në vijim.
Gara: Janë edhe 10 lokacione që do të gërmohen në javët në vijim
“Lokacioni me shumë prioritet që po e trajtojmë siç e kemi prezantuar qysh në fund të vitit të kaluar është lokacioni në fjalë, pra lokacioni në Rahovec. Përfshirë diku të paktën edhe tre lokacione të tjera të cilat i kemi trajtuar, adresuar në kuadër të këtij procesi që prapë po e quajmë si proces në vazhdimësi të konfirmimit të identitetit ose rasteve të adresimit të keqidentifikimeve të mundshme. Bashkë me kolegët e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, bashkë me kolegët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë në këtë rast po e them Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, me të dhënat nga arkivat ndërkombëtare, ne kemi edhe një sërë lokacionesh, që numri mund të jetë deri në 10 lokacione, të cilat do të jenë pjesë e agjendës për javët në vijim. Megjithatë, prapë po flas vetëm për të dhëna kushtimisht po them minimale, meqë në vazhdimësi si institucione, si komision qeveritar, bashkë edhe me kolegët e policisë, por edhe me kolegët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, po bëjmë përpjekje të adresojmë ose ta sfidojmë po them, këtë sfidën me të cilën po përballemi, që është mungesa e informacioneve të besueshme”, shtoi ai.
Ai e ka përsëritur faktin se mbesin shqetësuese dhe sfiduese lokacionet e pahapura në territorin e Serbisë, meqë autoritetet serbe nuk ndajnë informacione për to.
Vitin e kaluar është germuar në 32 lokacione, ndërkaq tërë këto 27 vjet është tentuar të gjenden eshtra në 2700 lokacione.
