Lajme

Në rigjykim lirohen nga akuza 7 të akuzuar për bixhoz të paligjshëm, për 3 të tjerë u refuzua aktakuza

 
   

Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, të martën ka shpallur aktgjykim me të cilin shtatë të akuzuarit për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm: Artan Quni, Arbent Ramadani, Sefer Berisha, Adrian Hasani, Mentor Maqani, Flakron Maqani dhe Granit Nikqi, u liruan nga akuza. Kurse, për të akuzuarit Rrahim Bërbatovci, Fadil Bytyqi dhe Visar Haxhijaj, u refuzua aktakuza.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani-Hajra.

Gjykatësja Namani-Hajra tha se të akuzuarit Artan Quni, Arbent Ramadani, Sefer Berisha, Adrian Hasani, Mentor Maqani, Flakron Maqani dhe Granit Nikqi, lirohen nga akuza pasi nuk është vërtetuar se kanë kryer veprat penale që u viheshin në barrë.

Ndërsa, për tre të akuzuarit Rrahim Bërbatovci, Fadil Bytyqi dhe Visar Haxhijaj është refuzuar aktakuza.

Namani-Hajra tha se shpenzimet gjyqësore bien në barrë të gjykatës.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 tetor 2023 i kishte dënuar me 11 vite burgim 10 të akuzuarit për bixhoz të paligjshëm. Por, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim për 10 të akuzuarit e dënuar, ndërkaq për pjesën liruese për të akuzuarit Qun Mengjiqi dhe Mentor Kika, si dhe për atë refuzuese për të akuzuarin Orhan Elshani, vendimi kishte mbetur i pandryshuar.

Ndryshe, të akuzuar në këtë rast janë edhe: Shpëtim Rexha, Fatmir Shala dhe Shpëtim Babaj, por për shkak se të njëjtit gjenden jashtë shtetit dhe për hir të ekonomizimit dhe përfundimit të çështjes penale ndaj të tjerëve, kjo çështje ishte veçuar ndaj tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve: Shpejtim Rexha, Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Rrahim Bërbatovci, Qun Mengjiqi, Shpetim Babaj, Mentor Kika, Sefer Berisha, Fatmir Shala, Artan Quni, Ardian Hasani dhe Orhan Elshani.

Sipas aktakuzës, thuhet se duke vepruar si grup kriminal kanë kryer veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas aktakuzës, të lartcekurit, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët, kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të përcaktuara me ligj, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për lojërat e fatit.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha fillimisht kishte siguruar licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën nën firmën “Market Plus” e pastaj aksionet ia kishte bartur të pandehurit Flakron Maqani, i cili të njëjtën firmë e kishte regjistruar në ARBK nën firmën “Market Plus 1” dhe “Las Vegas”, ashtu që sipas marrëveshjes me të pandehurit e tjerë të cilët kanë vepruar në pika të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, në vazhdimësi dhe pa licencë dhe pa leje pune të organeve kompetente, kanë siguruar dhe shpërndarë aparate të ndryshme të lojërave të fatit si: roleta, aparate të markave “Kajot” “Apec”, “Merkur” si dhe aparate të tjera të lojërave si “Keno”, aparate pa numra serikë, aparate me numra serikë të falsifikuar.

Përmes kësaj veprimtarie, sipas aktakuzës ata kanë fituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme në shumë prej 15,337.63 eurove.

Tutje në aktin akuzues thuhet se i akuzuari Shpejtim Rexha, në cilësinë e pronarit “Market Plus” në vitin 2009, me dashje dhe vetëdije ka regjistruar biznesin për organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit dhe pas regjistrimit në bashkëpunim me të akuzuarit Flakron e Mentor Maqanin dhe Granit Nikqin, aparatet e falsifikuara i kishin shpërndarë nëpër Kosovë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Visar Haxhijaj, Orhan Elshani, Rrahim Bërbatovci, Fadil Bytyqi, Arbent Ramadani, Artan Quni, Shpëtim Babaj, Ardian Hasani, Fatmir Shala, Sefer Berisha, Mentor Kika dhe Granit Nikqi, nga koha e pacaktuar deri në datën e kontrollit nga policia, të cekura në aktakuzë, në cilësinë e menaxherëve të lokaleve të ndryshme, kishin ushtruar veprimtari të paligjshme të bixhozit, ku me rastin e kontrollit u janë konfiskuar disa aparate të lojërave të fatit.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme