Raporti vjetor i Prokurorisë së Posaçme, i prezantuar pak ditë më parë, qe një këmbanë alarmi për atë po ndodh në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe shtrirjen e ndikimit të grupeve kriminale mbi pronat e shqiptarëve.
“Gjatë vitit 2025, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një rritje të ndjeshme të referimeve që lidhen me shërbimet e regjistrimit të pasurive paluajtshme. Janë identifikuar skema korruptive ku përfshihen zyrtarë të niveleve drejtuese dhe specialistë të ASHK-së, të cilët në bashkëpunim me grupe kriminale, kanë mundësuar mbivendosje pronash dhe legalizime në kundërshtim me ligjin, veçanërisht në zonat me interes të lartë turistik” – theksohet në raportin e SPAK.
Situata është e paprecedent. “Drejtoresha, Lorena Goxhobelli, e ka dhënë 3 herë dorëheqjen”, -tha një burim konfidencial për Zoom.al. “Por i është refuzuar nga Rama”. Është një “Dejà vu”. Rama ia refuzoi 3 herë dorëheqjen edhe Belinda Ballukut kur ajo u vu nën hetim nga SPAK. Në fund u detyrua ta largojë.
Po përse një zyrtare e lartë kërkon me ngulm të largohet nga një detyrë jo pak e lakmuar dhe pse kreu i qeverisë insiston ta mbajë? Spekulimet janë të shumta në qeveri e kadastër. Por ajo që kuptohet është se Lorena Goxhobelli nuk po e mban do të më mbi supe peshën e problemeve që ka shkaktuar në ASHK duke u shërbyer grupeve të caktuara.
Refuzimi i Ramës për ta lënë të lirë vjen në një kohë kur Kadastra është nën lupën e SPAK dhe të opinionit publik për vonesat rekord dhe kaosin e krijuar me sistemin e ri.
Hipoteka, në ditët e saj më të këqija, nën influencën e bandave
Jo vetëm në zyrën qendrore, por edhe në terren situata është alarmante. ASHK duket se po jep shpirt nën presionin e grupeve të interesit. Ka dyshime të forta se vendimmarrja në Kadastër është në duart e bandave që kërkojnë me çdo kusht tjetërsimin e pronave në bregdet dhe zonat urbane. Goxhobelli duket se është nën ndikimin e hapur të tyre.
Raporti vjetor i SPAK specifikon se disa hetime kanë zbuluar se struktura të caktuara në Kadastrës kanë qenë nën presionin ose nën ndikimin e drejtpërdrejtë të grupeve të caktuara kriminale për të tjetërsuar titujt e pronësisë.
SPAK nënvizon se grupet kriminale nuk mjaftohen më me korruptimin e një punonjësi të thjeshtë. Raporti flet për një ndërhyrje strukturore, ku grupet e strukturuara kanë arritur të vendosin njerëzit e tyre në pozicione kyçe të ASHK-së për të lehtësuar pastrimin e parave përmes pronave dhe ndërtimit.
SPAK vëren gjithashtu se procesi i digjitalizimit të Kadastrës, ndonëse synonte transparencë dhe lehtësi në operim, ka shërbyer jo në pak raste si maskë për të fshehur fshirjen e gjurmëve të dokumentacionit fizik gjatë fazës së tranzicionit.
Shërbimi në kolaps
Ndërsa Goxhobelli kërkon të largohet për t’u shpëtuar pasojave të amullisë së krijuar, institucioni që ajo drejton po kalon ditët më të vështira që nga krijimi.
Përtej propagandës së digjitalizimit, shifrat flasin për vdekje klinike të procesit të legalizimeve. Mbi 36 mijë dosje kanë mbetur pezull. Janë 36 mijë familje shqiptare që kanë mbetur peng i një sistemi në kolaps. Për më tepër, SPAK ka vendosur nën sekuestro preventive mijëra metra katrorë që ishin bërë gati për legalizim në mënyrë të paligjshme, kryesisht në bregdet.
Nuk është e qartë se përse kryeministri i ka refuzuar dorëheqjet e Goxhobellit, duke bërë që ASHK të shndërrohet në një minë me sahat që rrezikon të shpërthejë nga momenti në moment, duke marrë me vete edhe ato pak reforma që u tentuan të kryheshin.
Harta e tjetërsimit të pronave
Raporti liston qytetet ku korrupsioni në Kadastër është më i lartë. Vlora, Durrësi veçanërisht zona e Gjirit të Lalzit dhe Tirana janë pikat e nxehta. Vetëm për vitin 2025, SPAK ka sekuestruar pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 11 milionë euro, të cilat ishin regjistruar përmes dokumenteve të falsifikuara me bashkëpunimin e zyrtarëve të ASHK-së.
SPAK ka nisur hetimin pasuror për 16 zyrtarë të lartë të Kadastrës. Kjo do të thotë se po verifikohen jo vetëm llogaritë e tyre, por edhe të familjarëve, për të parë nëse jeta e tyre luksoze përputhet me rrogën e shtetit./ Zoom.al
