Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nëna denoncon të birin në Prishtinë: I kërkoi para, e kërcënoi pasi refuzoi t’i jepte

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Sinjali mëson ekskluzivisht për një rast të ndjeshëm që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Lidhja e Prizrenit” në Prishtinë, ku një grua ka kërkuar mbrojtje nga djali i saj pas një përballjeje brenda shtëpisë.

Burime të sigurta të Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se rreth orës 04:30, shtetasja F.GJ., 59 vjeçare është paraqitur në Stacionin, duke raportuar se ishte kanosur nga djali i saj, E.GJ., 33 vjeçar.

Sipas rrëfimit të saj, derisa ajo ndodhej në gjumë, i biri kishte hyrë në dhomë dhe i kishte kërkuar para. Pasi ajo kishte refuzuar, ai kishte reaguar duke e kanosur verbalisht dhe me sjellje agresive.

Sinjali mëson se i dyshuari është person nën trajtim mjekësor dhe përdor terapi antidepresive dhe antipsikotike. Pas ndërhyrjes së Policisë, ai është shoqëruar në repartin e psikiatrisë dhe pas tretmanit është liruar nga spitali.

Në konsultim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Dhunë në Familje, rasti është iniciuar si “Kanosje”, ndërsa i dyshuari do të ndiqet në procedurë të rregullt.

Rasti ngre shqetësime serioze për qasjen e sistemit ndaj rasteve ku ndërthuren dhuna familjare dhe çrregullimet mendore dhe vë në pah mungesën e mekanizmave parandaluese për situata të tilla, që mund të eskalojnë në tragjedi.

Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë pa kompromis për çdo rast ku heshtja brenda familjes kthehet në kërcënim për jetën dhe sigurinë e anëtarëve të saj.