
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka reaguar me ironi ndaj akuzave të ish-gjyqtarit të Kushtetueses, Kadri Kryeziu, i cili e kishte cilësuar Hasanin si “fajtorin kryesor” për ngërçin aktual politik në vend.
Në një shkrim të gjatë, Kryeziu jo vetëm që e ka akuzuar Hasanin për rolin e tij në gjendjen e krijuar, por ka shtuar se “me shumë kënaqësi” pret një kundër-reagim nga ai.
“I fuqizuar me ChatGPT dhe të tjera të ngjashme, ndihem komod për çfarëdo debati. Të uroj shëndet dhe e pres me shumë kënaqësi kundër reagimin tënd”, shkruante Kryeziu në fund të reagimit të tij.
Por Hasani, në një përgjigje për KosovaPress, ka mohuar kategorikisht se do t’i përgjigjet ftesës së Kryeziut për debat publik, duke e përqeshur mënyrën e të shkruarit të tij.
“Fund e krye është shkruar me ChatGPT! Si nuk i vjen turp të tregojë gjëra që ia kam thënë unë se si duhet të votojë!”, është shprehur Hasani, duke e cilësuar reagimin e Kryeziut si të pavërtetë dhe të mbushur me gënjeshtra, përfshirë pretendimet për marrëdhënie të mira me ish-apo aktualët gjyqtarë të Kushtetueses.
Hasani ka përfunduar reagimin e tij me një sfidë ironike: “Ky është aq naiv sa mendon se do t’i përgjigjem. Ndoshta ia vlen t’i them se do t’i përgjigjem vetëm me një kusht: nëse është në gjendje ta riprodhojë me gojë live, krejt këtë shkrim që ka postuar”.