Lajme

“Nëse s’e zgjidhni, vij vetë” – Halil Geci: Mesazhi i Trump “trondit” Brukselin

Veprimtari Halil Geci ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr prej më shumë se 15 vitesh nga Bashkimi Evropian, ka prodhuar më shumë deklarata sesa rezultate konkrete, duke e cilësuar procesin si të pabalancuar.

Sipas tij, mungesa e njohjes së Kosovës nga disa shtete anëtare të BE-së ka dobësuar rolin e Brukselit si ndërmjetës neutral, ndërsa procesi është perceptuar si i njëanshëm. Ai përmend edhe ndërmjetësimin ndër vite nga figura si Federica Mogherini, Josep Borrell dhe Miroslav Lajčák.

Geci i referohet një deklarate të fundit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka sinjalizuar gatishmëri për përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proces, duke theksuar se pa peshën dhe garancinë amerikane dialogu rrezikon të mbetet në cikël premtimesh të parealizuara.

Postimi i plotë:

PA PËRFSHIRJEN E SHBA-VE, DIALOGU KOSOVË–SERBI NË QORRSOKAK

Mesazhi i qartë nga Trump: “Nëse nuk e kryeni punën siç duhet, unë do të ndërhyj personalisht” – Brukseli në pikëpyetje, Prishtina pret drejtësi

Mesazhi nga Uashingtoni për Beogradin dhe Brukselin është i qartë: koha e standardeve të dyfishta po mbaron. Përkthehet kështu: “Nëse nuk e kryeni punën siç duhet, unë do të ndërhyj personalisht”, paralajmëron Trump.

Prej më shumë se 15 vitesh, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ka prodhuar më shumë deklarata sesa zgjidhje konkrete. I ndërmjetësuar në periudha të ndryshme nga emra si Federica Mogherini, Josep Borrell dhe Miroslav Lajčák, procesi është parë i njëanshëm. Disa vëzhgues dyshojnë se përfaqësuesit evropianë mund të jenë ndikuar ose të përfshirë nga interesat Ruso-Serbe ndërsa të tjerët mendojnë se mungesa e rezultateve tregon thjesht mungesë guximi politik evropjan për të trajtuar thelbin e problemit: njohjen reciproke dhe barazinë në tavolinë.

Mosnjohja e Kosovës nga disa shtete anëtare të BE-së ka krijuar një klimë të paqartë politike, duke e dobësuar rolin e Brukselit si arbitër neutral.

Në këtë kontekst, deklarata e fundit e Donald Trump riktheu vëmendjen te roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

“Nëse nuk shkoni mirë, më merrni në telefon dhe do ta zgjidhim”, u shpreh ai, duke sinjalizuar gatishmëri për përfshirje të drejtpërdrejtë amerikane në proces.

Ky mesazh u interpretua si një sinjal politik jo vetëm për Prishtinën dhe Beogradin, por edhe për Brukselin: pa peshën dhe garancinë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dialogu rrezikon të mbetet në cikël premtimesh të parealizuara.

Sot, sfida mbetet e njëjtë: a do të tregojë Evropa guxim dhe qartësi politike, apo do të vazhdojë një proces që perceptohet si i pabalancuar?

Për Kosovën, barazia dhe respekti ndërkombëtar janë të panegociueshme; për Serbinë, zgjedhja mbetet mes integrimit evropian dhe politikave të së kaluarës.

Ndërsa për faktorin ndërkombëtar,mesazhi është i qartë,pa drejtësi dhe pa balancë, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.

Të Ngjashme