Nesër në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të zhvillohen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilaj, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për pengim të drejtësisë. Seanca është caktuar të fillojë në orën 09:30 dhe pritet të përmbyllet rreth orës 16:00.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se kanë vënë në dispozicion informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarë dhe kanë dhënë udhëzime për ndikim në dëshmitë e tyre, me qëllim të pengimit të rrjedhës normale të procesit gjyqësor.
Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, Prokuroria do të vazhdojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues. Seancat e gjykimit janë planifikuar nga 2 deri më 6 mars.
Prokuroria pretendon se midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve, dhe u dha hollësi se si të vepronin.
Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga zotërinjtë Smakaj, Fazliu dhe Kilaj dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza, dhe nga Kuçi, me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.
