Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nesër tentimi i 51-të – a do arrijnë deputetët ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit?

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të tentojnë për herë të 51-të, të mërkurën në orën 11:00, të konstituojnë Kuvendin, pas disa përpjekjeve të dështuara që kanë zgjatur ngërçin institucional në vend.

Në tentimet e deritashme, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, që është i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka kërkuar nga subjektet politike që ende nuk kanë propozuar përfaqësues – PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-NISMA – ta bëjnë këtë, por deri më tani nuk ka pasur përgjigje.

Ndërkohë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dërguar një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të pasojnë nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë.

Në një konferencë për media të martën pasdite, Osmani deklaroi se kërkesa është me karakter preventiv dhe ka për qëllim garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve.

“Situata aktuale paraqet një rast të paprecedentë në jetën politike të Kosovës dhe se mungesa e konsensusit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues ka krijuar një paqartësi serioze në aspektin juridik”, tha ajo.

“Çdo moszbatim duhet të ketë pasoja juridike, por ato deri më tani nuk janë sqaruar. Kërkesa jonë në thelb është për qartësimin e këtyre pasojave nëse Kuvendi nuk konstituohet në kohë. Kjo është një përpjekje për të parandaluar pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues të vendit”, shtoi Osmani.