Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nesër vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

 
   

Seanca për konstituimin e Kuvendi të Kosovës do të vazhdojë të premten nga ora 10:00.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Kuvendit, seanca do ta ketë një pikë të vetme të rendit të ditës- zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Caktimi i vazhdimi të seancës vjen një ditë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me rastin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Kushtetuesja ka konstatuar se seanca konstituive nuk ka përfunduar si rezultat e moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicave serbe. Deputetët obligohen që ta përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 12 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, pra nga 8 tetori. Kushtetuesja konstaton se procedura e zgjedhjes se Emilija Rexhepit nënkryetare e Kuvendit nga komunitetet tjera, nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Por, nënvizoi se propozimi për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, duhet bërë nga shumica e deputetëve të atij komuniteti. Vendimi thotë se votimi në pako mbetet në vullnetin e deputetëve.

Gykata thekson se dështimi për konstituimin e Kuvendit në rastin e tanishëm i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve për kandidatët e propozuar, qoftë të propozuar drejtpërdrejt nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, respektivisht komunitetit serb ose përmes procedurës së shortit.

Po ashtu, rikujtoi obligimin e deputetëve që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e tyre në votim, përkitazi me propozimet e paraqitura në bazë të Kushtetutës dhe rregullave tjera të ndërlidhura.

Kushtetuesja rithekson se seanca konstituive e Kuvendit, është një akt kushtetues që duhet të realizohet përmes përmbushjes së të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit, përfshirë në këtë rast edhe zgjedhjen e nënkryetarit/es nga radhët e komunitetit serb, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës.

“…çdo interpretim ndryshe do të relativizonte rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe do të nënkuptonte tolerim të bllokimit institucional, në kundërshtim me natyrën funksionale të një demokracie të udhëhequr nga parimet e demokracisë dhe të sundimit të ligjit”, thuhet në vendim.