
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka marrë një vendim për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacionet në zonat ku mbahen pengje, ka thënë një burim në Zyrën e Kryeministrit për gazetën The Jerusalem Post të hënën.
Zyra e Kryeministrit ia përcolli mesazhin Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Izraelit, gjenerallejtënant Eyal Zamir: Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë duhet të jepni dorëheqjen.
Përveç kësaj, të martën në mëngjes, një zyrtar izraelit i tha gazetës Post se Netanyahu do të thërrasë një takim të gjerë mbi Gazën dhe një marrëveshje për pengjet, duke vënë në dukje se “kryeministri po shqyrton të gjitha opsionet e disponueshme në lidhje me hapat e mëtejshëm”.
Zyrtari izraelit shtoi se i dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Ëitkoff, u kthye në SHBA për t’u takuar me presidentin dhe “u arrit një konsensus i gjerë se një marrëveshje duhet të përfshijë të gjithë pengjet”.
Hamasi i është përgjigjur raporteve në lidhje me qëllimin për të pushtuar Gazën, duke thënë: “Kërcënimet e Izraelit janë të përsëritura, të pavlera dhe nuk kanë ndikim në vendimet tona”.
Hamasi kërkoi që qindra kamionë me ndihma të hynin në Rripin e Gazës që grupi palestinez të rikthehej në negociata./teve1/