Aktuale

“Nga dy, janë bërë 8 procedura tenderuese” – Kryeprokurori Braho: Ja pse deputetja mund të rrezikojë deri në 35 vite burg! Ka edhe të tjera nën hetim!

Në raportin e Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, të depozituar në Kuvend, argumentohet se imuniteti i deputetes duhet t’i hiqet për shkak se pozita e saj është rënduar, hetimet janë intensifikuar dhe se ka rrezikshmëri që e pandehura të ‘helmojë’ provat.

belinda balluku spak prokuroret e spakProkuroria e Posaçme ka argumentuar se, pas momentit të caktimit të masës së pezullimit nga detyra të Ballukut si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, nevojat e sigurimit ndaj saj janë rënduar për shkak se po kryhen hetime të tjera, që kanë të bëjnë me disa procedura të tjera tenderimi, si edhe me një koncension.

Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, që u zhvillua me dyer të mbyllura, Kryeprokurori Klodian Braho ka theksuar se nga dy procedura tenderuese, për të cilët u dha masa e pezullimit, aktualisht janë bërë 8, gjë që e rëndon pozitën aktuale të saj. Dënimi maksimal i deputetes mund të shkojë deri në 35 vite, për shkak se siç argumenton ai, dënimi jepet për secilin rast në fjalë.

“Pra, e ka parë këtë nen në raport me dy procedura, sepse llogariti edhe rrezikun e personit të veprës, edhe mundësinë e denimit që mund të marrë personi, ndaj me 2 episode teorikisht mund të dënohet deri në 10 vjet. Në qoftë se ato nga 2 bëhen 8 episode (fakte penale), nuk është më e njëjta situate. Është i njëjti nen, por përsëritet 8 herë. Pra, kur caktohet dënimi, caktohet për secilën vepër dhe teorikisht mund të shkojë edhe deri në dënimin maksimal me 35 vjet burg. Pra, nuk ështe e njëjta situatë, pavarësisht se është e njëjta dispozitë.”, theksoi Braho.

PJESË NGA RAPORTI:

“Klodjan Braho – Analiza e vendimit të Gjykatës të datës 19.11.2025, por edhe kërkesa prokurorisë në atë moment lidhet vetëm me dy procedurat e para të prokurimit. Kërkesa depozituar Kuvendit lidhet edhe me procedurat shtesë. Nëse do t’i referohemi përshtatshmërisë së masave të sigurimit, e ka rregulluar posaçërisht situatën neni 229, paragrafi 2, i Kodit Procedures Penale, ku përshkruhet se çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe sanksionin qe parashikohet për veprën penale. Jemi në situatën që rëndesia e faktit ndryshuar, nga 2, janë shtuar edhe 6 apo 7 procedura te tjera;

sanksioni ka ndryshuar, nga dy dënime maksimumi i mundshem deri ne 5 vjet, mund të jetë situata juridike që personi do të dënohet edhe për procedura të tjera të prokurimit, për secilën prej tyre. Mbajme parasysh: vazhdimësia, përsëritja, rrethanat lehtesuese apo rënduese. Ka vazhdimësi, ka përsëritje veprimeve në kohë, ka rrethana rënduese, sepse janë kryer të gjitha në bashkëpunim me persona të tjerë, që me së shumti janë të njëjtët persona. Duke i mbledhur bashkë të gjithë këta elemente që ka parashikuar ligji, ne vlerësojmë që përshtatshmëria është më e lartë në raport me nevojat të e sigurimit, që sot mund të parandalohen me masat ekzistuese, dhe kërkon një masë tjetër që t’i kënaqë nevojat e sigurimit.

Atëherë, kam përshtypjen se unë iu pergjigja njëhërë kësaj pyetjeje, megjithatë po e qartësoj sërish. Është qartësisht e përshkruar në kërkesë çdo arsye pse kemi ardhur sot në Kuvend. Elementi që Kushtetuesja kishte pezulluar pezullimin nuk është pjesë e përmbajtjes së kërkesës. Për sa kohë nuk është pjesë e përmbajtjes së kërkesës përgjigja më e qartë është: nuk lidhet me atë pjesë, edhe pse, në vlerësimin tonë, ajo e rëndon më tepër.

Nuk është kaq e thjeshtë të themi se gjyqtari e pa njëherë nevojën për nenin 258, por, përsëri, neni 258 nuk është kështu. Pra, e ka parë këtë nen në raport me dy procedura, sepse llogariti edhe rrezikun e personit të veprës, edhe mundësinë e denimit që mund të marrë personi, ndaj me 2 episode teorikisht mund të dënohet deri në 10 vjet.

Në qoftë se ato nga 2 bëhen 8 episode (fakte penale), nuk është më e njëjta situate. Është i njëjti nen, por përsëritet 8 herë. Pra, kur caktohet dënimi, caktohet për secilën vepër dhe teorikisht mund të shkojë edhe deri në dënimin maksimal me 35 vjet burg. Pra, nuk ështe e njëjta situatë, pavarësisht se është e njëjta dispozitë.

Në kërkesë është përcaktuar qartë shkaku pse kemi ardhur sot në Kuvend. Masat e sigurimin ekzistuese janë caktuar për dy procedura, për dy episode. Pas caktimit të masës janë zbuluar fakte që kanë ndodhur para caktimit të saj, të cilat tregojnë dyshime edhe për 6 procedura të tjera, me përseritje të të njëjtës mënyrë veprimi dhe me të njëjtët persona bashkëpunëtorë.

Këto fakte i janë atribuuar personit nën hetim. Përveç këtyre, shpjeguam se ka edhe procedura të tjera që jane objekt hetimi, por që nuk kanë ende një vendimmarrje, që t’i jetë atribuuar personit në hetim.

Në rastin konkret ne mendojmë se masat e kërkuara janë ato që duhet të caktohen, janë masat proporcionale, dhe është e qartë nga procedura që nuk janë masat e para. Personi është marrë i pandehur për një procedurë në gjendje të lirë, por me pas është gjetur një fakt tjetër dhe janë kërkuar dy masat e sigurimit.

Janë shtuar faktet e reja dhe vetëm më pas prokuroria ka kërkuar një masë më të rëndë, që cenon lirinë e personit. Kështu që, ne vlerësojmë që sjellja e prokurorisë për këtë rast është tërësisht proporcionale me nevojat e sigurimit që dikton ky hetim.”, ka thënë Braho.

Për këtë shkak, rezulton e provuar se ekziston nevoja e kryerjes së veprimit nga ana e prokurorisë, në kuadër të përshtatshmërisë së masës së kërkuar. Nevojat e sigurimit janë rënduar për personin nën hetim dhe të pandehurën Belinda Balluku.

Është fakt që prokuroria nuk ka kërkuar masë sigurimi në momentin që deputeti Belinda Balluku është marrë i pandehur për një fakt penal – Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë. Më pas, ka lindur nevoja për caktimin e masës së sigurimit, sepse ajo ka marrë cilësinë e personit nën hetim për një tjetër fakt penal

Ndërtimi i Lotit të 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku prokuroria dhe gjykata, në respekt të parimit të përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit perosnal, kanë kërkuar dhe caktuar një masë të lehtë të sigurimit personal, atë të “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe të masës ndaluese të “Pezullimit të ushtrimit të një funksioni a shërbimi publik”. Më pas, në ngarkim të deputetit Belinda Balluku janë atribuuar edhe 6 fakte të reja penale dhe indicie të mjaftueshme për 3 fakte të tjera penale, dhe kjo ka diktuar nevojën e prokurorisë për të kërkuar autorizimin nga Kuvendi i Shqipërisë për të lejuar paraqitjen në gjykatë të kërkesës për caktimin e masës “arrest në burg” apo “arret në shtëpi”.

Për më tepër, mos kryerja e veprimit mund t’i japë mundësi të pandehurës që të dëmtojë hetimet dhe të pengojë drejtësinë. Është kompetencë e prokurorisë dhe gjykatës që më pas të vlerësojnë në mënyrë periodike vijimin ose jo të nevojave që diktojnë kryerjen e një veprimi të caktuar në mbrojtje të hetimeve.

Të Ngjashme