“Rendi botëror ka rënë!”. Kështu u shpreh presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku diskutoi me tonë kritike për operacionin amerikan për kapjen e mikut të tij në Venezuelë, Nikolas Maduro.
“Pas veprimeve në Venezuelë, është plotësisht e qartë se rendi publik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së nuk zbatohen”, theksoi Presidenti serb, duke shtuar se ligji i forcës dhe ligji i më të fortit po dominojnë botën.
“Pra, ju e shihni që nuk ka parime. Kjo është arsyeja pse ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha, siç është Turqia. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është aleanca ose bashkimi i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili po zhvillohet në një fushë të gjerë që përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake nga automjetet katër me katër deri te armët dhe mjetet më të fuqishme”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia po e monitoron nga afër këtë dhe po përgatitet për mbrojtje kundër atyre që pretendoi se tani po bëjnë “kërcënime të hapura” ndaj Serbisë.
E në lidhje me këtë deklaratë të Vuçiqit kundër Kosovës dhe ankesat e tij, foli Driton Tali.
Fillimisht, ai u shpreh se, problemin e vetëm presidenti serb e ka me armatimin e Kosovës dhe jo me atë për drejtësi ndërkombëtare e rend të ri.

Driton Tali
Mirëpo, Tali tha se Vuçiq frikësohet nga dorëzimi i Putinit në Ukrainë, e që më pas ai e humbë mbështetjen që e merr në nivel ndërkombëtarë, ku tani rrjedhimisht forcohet Kosova.
“Nga gjithë atë gajlim që e shpërfaqi ” Drejtësinë Ndërkombëtare” dhe për “Rendin e Ri”, i besova veç te sikleti që ka ndaj armatimit të Kosovës! Në këtë pikë është i sinqertë! Dhe, i besova deri diku për Venezuelën, por vetëm nga ajo ana që e zhvezh akoma më shumë Putinin në lidhje me “fuqinë e tij”. Kjo ishte hera e dytë ku Putini dështoi për t’i mbrojtë klyshët e tij, njëhere në Siri me Esetin e tani në Venezuelë me Maduron.
Dhe ky fakt ja shton frikën se mos po dorëzohet Putini në Ukrainë, e pastaj “kjo Serbi” e humb tutorin (për mos të thënë Macron) në të cilën mbështet në skenën ndërkombëtare, dhe Kosova fiton hapësirë. Kjo pastaj natyrisht e përshpejton fuqishëm anëtarsimin e saj në të gjitha mekanizmat nderkombëtarë”, shtjelloi ai.
Për këtë, Tali potencoi se gjithë deklaratat e Vuçiqit janë hipokrizi dhe se atij nuk i intereson drejtësia.
Madje, ai kritikoi edhe disa analistë në Kosovë e Shqipëri, që brengosen për drejtësinë ndërkombëtare.
“Të tjerat Vuçiqi i ka hipokrizi. Sa për respektimin e drejtësisë ne që patëm punë me te, jo vetëm shqiptarët, e dijmë se sa i drejtë është Vuçiqi dhe sa i intereson për drejtësinë.
Ngase po shoh se disa analistë “parimorë” tanë, edhe ata nga Shqipëria Londineze, goxha janë të brengosur për “Drejtësinë Ndërkombëtare”, t’ju them se kundërshtarin më tē madh Republika e Kosovës, në atë pjesë të botës e ka patur Çavezin – Maduron, si klysh të “kësaj Rusie” që ishin. Jo që nuk e njihnin por edhe lobonin fuqishëm te ato shtete ku kishin influencë që mos ta njohin Kosovën”.
Në fund, Tali për “Bota sot” shtoi se: “Vuçiqi, me largimin e diktatorit kriminel Maduro, ka arsye të mëdha jo vetëm për t’u shqetësu, por mbase edhe për t’u shastrisë e “ment m’i dal prej kreje””.

