
Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas ka thënë të enjten se Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të formohen sa më shpejt, për të rritur stabilitetin e vendit.
“Ftoj spektrin politik që të punojnë së bashku”, tha ajo tutje.
Zyrtarja e lartë evropiane deklaroi mes tjerash në Prishtinë se Kosova i përket familjes evropiane.
“Nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësim në BE, progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme. Plani evropian i rritjes për Ballkanin Perëndimor është një masë e mundësisë për integrim gradual në Tregun e Përbashkët të BE-së”, ka thënë Kallas.
“Kosova duhet së pari të paraqesë agjendën e reformave dhe të pozicionohet mirë në planin e rritjes”.
Ajo njoftoi se BE-ja ka nisur heqjen graduale të masave ndaj Kosovës, të cilat vendit iu vendosën qershorin e vitit 2023.
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka nisur heqjen graduale të masave të vendosura qershorin e vitit 2023. Vendimi hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe për lidhje më të forta me BE-në”, tha zyrtarja e lartë e BE-së.
Por, sipas saj, heqja e këtyre masave është e kushtëzuar me situatën në veri, veçmas me deeskalimin.
“Por është i kushtëzuar me deeskalimin të qëndrueshëm në veri. Mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia në veri cenon përpjekjet drejt deeskalimit. Kosova ka bërë progres të dukshëm në forcimin e institucioneve demokratike viteve të fundit dhe misioni ynë i EULEX-it vazhdon të mbështesë sundimin e ligjit në Kosovë. Por sërish, korniza aktuale politike dhe ngërçi po e frenon Kosovën”, deklaroi Kallas.
Ndër të tjera, shefja e diplomacisë evropiane inkurajoi udhëheqësit politikë që të bashkëpunojnë për të ardhmen e Kosovës.
“Formimi i parlamentit dhe qeverisë së re është qenësore për stabilitetin, rritjen dhe të ardhmen evropiane të Kosovës. Inkurajoj të gjithë aktorët politik që të bashkëpunojnë mes vete dhe me komunitetet që përfaqësohen në Kosovë. BE-ja është e gatshme të ju mbështesë, por liderët politikë duhet t’i lënë anash dallimet dhe ta prioritizojnë të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Kallas nga Prishtina.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Ajo potencoi se Prishtina dhe Beogradi janë partner të barabartë në tavolinën e diskutimeve.
“Si shefe e Politikës së Jashtme do të vazhdojë të mbështes këtë proces”.
“Për të gjithë ata që ende kanë mëdyshje për këtë proces, le të jem e qartë normalizimi i marrëdhënieve është e vetmja rrugë e sigurtë dhe më më shumë prosperitet për të ardhmen për të gjithë njerëzit e këtij rajoni”, tha Kallas.
Ajo poashtu theksoi se ujdia e Ohrit mbetet e detyrë për t’u përmbushur, përderisa pa përmendur data tha se së shpejti thërret përfaqësuesit e dyja shteteve për bisedime në Bruksel.