Kur një çift përballet me vështirësi për të pasur një fëmijë, vëmendja shpesh përqendrohet te gruaja, por mjekësia moderne thekson se problemi mund të qëndrojë te të dy partnerët.
I ftuar këtë të premte në emisionin “Mes Dritë” në Vizion Plus, mjeku androlog Ervin Dani u ndal te rëndësia e analizave bazë, ku ndër më kryesoret është spermograma. “Spermograma është zanafilla për të përcaktuar nëse një mashkull ka apo nuk ka probleme me infertilitetin,” u shpreh ai.
Mjeku theksoi se kjo analizë bazohet në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat janë përditësuar disa herë ndër vite për të unifikuar vlerësimin në nivel global. “Mbi bazën e spermogramës bëhen më pas vizitat dhe konsultat e tjera për të gjetur shkakun e vonesës së një shtatzënie,” sqaroi Dani, duke shtuar se faktorët mund të jenë të lidhur si me burrin, ashtu edhe me gruan.
Sa i përket mënyrës së jetesës, andrologu paralajmëron se veset ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e spermës. “Duhani shkakton dëmtime të shumta në spermatogjenezë, duke ndikuar në numrin, lëvizshmërinë dhe formën e spermatozoideve. Edhe alkooli dhe drogat janë faktorë dëmtues,” tha ai. Sipas tij, edhe përdorimi i celularit në xhep mund të ketë ndikim negativ: “Valët dhe faktorët ambientalë ndikojnë, pasi qelizat e spermatozoideve janë shumë të ndjeshme.”
Në lidhje me pyetjen nëse cilësia e spermës mund të dallohet me sy të lirë, mjeku është i prerë: “Askush nuk mund ta përcaktojë me sy të lirë nëse sperma është normale apo jo, as ne mjekët.” Megjithatë, ai shton se disa ndryshime mund të vërehen: “Sperma normale ka ngjyrë të bardhë në gri ose në të verdhë, ndërsa ndryshimet mund të lidhen me infeksione apo procese inflamatore.”
Në fund, Dani thekson rëndësinë e përgatitjes për një analizë të saktë. “Për një spermogramë të besueshme, mashkulli duhet të ketë një periudhë abstinence jo më pak se tri ditë dhe jo më shumë se gjashtë ditë. Në të kundërt, rezultati nuk është real,” përfundoi ai, duke nënvizuar se vetëm analiza laboratorike mund të japë një vlerësim të saktë të fertilitetit mashkullor.
/vizionplus.tv
