Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Nga Olimpiada tek politika, Besim Hasani premton integritet dhe angazhim për qytetarët

 
   

Nga medaljet olimpike tek Kuvendi i Kosovës, ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, synon të japë kontributin e tij në politikë. Si kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ai premton angazhim për sportistët, arsimtarët, punëtorët shëndetësorë, bizneset dhe familjet e dala nga lufta.

Hasani në një interviste për KosovaPress tha se punën e deputetit nëse arrin të fitoj do ta bëjë me integritet të plotë.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=lsp9altDUGA

Hasani tregon prioritet e tij nëse arrin të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës

“Unë ju premtoj që do të angazhohem siç jam angazhuar edhe në të kaluarën për ndërkombëtarizimin e sportit, për rregullimin e mirëqenies së sportistëve dhe komunitetit në sport. Unë ju garantoj që do të përkujdesem edhe për arsimtarët, edhe për punëtorët shëndetësorë që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në atë periudhën e që janë duke dhënë edhe edhe sot. Unë do të përkujdesem edhe për njerëzit e biznesit. Do të kujdesem edhe për kategoritë e dalura nga lufta, ndërsa ata duhet të vendosin se a do të më votojnë apo jo. Unë premtoj punë, unë premtoj se do të hyj me vlerat që i posedoj, me eksperiencën që e kam me plot integritet. Do të punoj me plot integritet dhe do dal nga parlamenti si i tillë”, thotë ai.

Hasani i cili në listën e PDK-së mban numrin 22 tregon arsye se pse vendosi t’i hyjë politikës e posaçërisht duke u bërë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ish-presidenti i Komistetit Olimpik të Kosovës theksoi se në momentet më kritike, kur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar po shqyrtonte rastin e Kosovës, gjeti mbështetje të pakursyer nga lidershipi i atëhershëm i PDK-së.

Hasani tregon pse zgjodhi PDK

“Gjatë përpjekjeve të pandalura 18-vjeçare për njohjen e Komitetit Olimpik të Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, më ka rënë me punuar me shumë personalitete, por ndoshta në atë kohën kur kishte një gatishmëri që ta shqyrtojnë rastin tonë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ishin pikërisht personalitetet më të shquara të Partisë Demokratike të Kosovës, duke u nisur nga presidenti Thaçi, pastaj Memli Krasniqi kur ishte ministër i Sportit, me Bedri Hamzën kur ishte ministër i Financave dhe duke e njohur njëri-tjetrin, krijohet një afërsi, duke luftuar të gjithë për një qëllim sublim, çfarë ishte ndërkombëtarizimi i sportit dhe ja njohëm vlerat njëri-tjetrit të themi ashtu dhe e pranova ofertën e tyre që të jem pjesë e PDK-së dhe nga kjo parti ta jap kontributin dhe pasi u kyça krejt, i pashë vërtet edhe vlerat e mirëfillta që i posedon kjo parti”, thotë Kelmendi.

Pretendenti për deputetit nga PDK, Besim Hasani programin qeverisës të prezantuar nga kjo parti e ka vlerësuar si të shkëlqyer dhe i cili synon përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve.

Sipas tij, programi parasheh përfitime të prekshme që nga dita e parë e qeverisjes dhe ka zbatueshmëri të plotë, pasi përcakton qartë mënyrën e sigurimit dhe shpërndarjes së të ardhurave për zhvillim dhe mirëqenie sociale.

Hasani e quan program të shkëlqyer programin e PDK-së

“Kemi të bëjmë me një program të shkëlqyer, një program që do ta rregullojë mirëqenien e çdo qytetari. Nuk ka qytetar të Republikës së Kosovës, çfarëdo kategorie qoftë ai apo ajo, që nuk do të ketë përfitime të prekshme që nga dita e parë kur zoti Bedri Hamza do ta merr udhëheqjen e qeverisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, edhe një herë po them, i siguroj të gjithë qytetarët se ky është një projekt i jashtëzakonshëm, një projekt i që ka zbatueshmëri, sepse së pari i parasheh mënyrën se si do të hyjnë të ardhurat që në mënyrë që ato pastaj edhe të shpërndahen te qytetarët e Republikës së Kosovës, për zhvillimin e vendit, por edhe për mirëqenien e çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, theksoi Hasani.

Hasani i cili ia ka mësyer ulëses së Kuvendit të Kosovës thotë se me qeverisjen e Bedri Hamzës fokusi do të jetë në mirëqenien e qytetarëve përmes rritjes së pagave për 50 për qind dhe krijimit të lehtësirave për bizneset, përfshirë heqjen e TVSH-së në kufij, bazuar në një program financiar të përllogaritur saktë.

Hasani tregon premtimet për qytetarët dhe bizneset

“Unë e shoh rolin kryesor të qeverisë, të një qeverie është mirëqenia e qytetarëve vetë. Prandaj, kjo mirëqenie rregullohet, përveç të tjerash, edhe me pagat dinjitoze. Dhe kryeministri në ardhje ka premtuar se qysh në muajt e parë do të rriten pagat për 50%. Por për me shkuar përtej interesit individual të çdo qytetari, për mirëqenien e tij, do të thotë krijohen mundësi të jashtëzakonshme edhe për bizneset. Edhe do të thotë bizneset, heqja e TVSH-së në kufij, në mënyrë automatike e lehtëson çdo biznes në Republikën, në Republikën e Kosovës. Prandaj, do të thotë, nuk ka aspekt që nuk është prekur”, theksoi Hasani.

Ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani duke potencuar se do të jetë zëri i fuqishëm i sportisëve, thotë se nga ulësja e Kuvendit të kosovës do të kërkoj rritje të shpërblimeve dhe pensionit sportiv.

Sipas tij sporti është storija e suksesit të shtetit të Kosovës.

Hasani kërkon rritje të shpërblimeve për sportistët

“Ajo çka në të ardhmen do kërkoj, janë rritja e shpërblimeve, qoftë për arritjen e medaljeve të larta, qoftë për atë pensionin sportiv që ne e quajmë shpërblimet e përhershme. Këto domosdoshmërisht duhet të rriten sepse nga 2014 këtu nuk ka pasur ndryshime. Edhe unë nuk hezitoj të them që një sportist apo sportiste që stoliset me medalje të artë olimpike, ai apo ajo duhet të jenë milionerë. ….sportisti që merr medaljen e artë të jetë 1 milion ta ketë shpërblimin, 1 milion dhe pikë. E meriton 1 milion. Më thoni, mbasi ju kujtohet edhe të gjithë shikuesve që po na shikojnë, ju kujtohen ato pamjet kur Majlinda Kelmendi stoliset me medaljen e artë dhe garda ruse duke ngritur flamurin, e përshëndesin flamurin dhe himnin e Republikës së Kosovës. Më thoni, me pas dhënë shteti edhe 1 miliard e 2 miliarda, a kishte mundur me krijuar një një mjedis të tillë? Këtë e krijon sporti. Prandaj shteti i ka borxh sportit, i ka komunitetit të sportit. Janë edhe edhe punëtorët sportivë që kanë punuar në kushtet më të vështira, në kohërat më të vështira, nën okupim, ka maltretime të jashtëzakonshme dhe e duan një përkujdesje të veçantë nga shteti e unë do të jem zëri i tyre”, theksoi ai.

Krahas mbështetjes për mësimdhënës e biznese e sportistë, 22-shi i PDK-së premton përkrahje edhe për familjet e kategorive të dala nga lufta.

Ai tha se familjet e dëshmorëve nuk do të detyrohen më të zgjedhin mes pensioneve, por do të përfitojnë pension për secilin dëshmor.

Hasani premton se me PDK-në familjet e dëshmorëve do të marrin vendin meritor

“Po vetë programi i Bedri Hamzës, kryeministrit të ardhshëm, do të thotë parasheh rritjen e pensioneve për 50% dhe edhe do të thotë edhe në të kaluarën me ballafaqimin, problemin kryesor që e kanë pasur për shembull invalidët e luftës apo dëshmorët, familjet që kanë dëshmorë, kanë qenë pikërisht që nuk kanë shkuar paralel me u ndihmuar me pensione, por është dashur të zgjedhin njërën prej pensioneve. Tash nuk do të jetë ajo. Do të thotë, çdo familje që ka dëshmorë do të ketë pension, madje do të ketë pension aq sa ka dëshmorë”, deklaron ai.

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Besim Hasani i cili mban numrin 22 në listën e kësaj partie është një nga figurat më të rëndësishme të sportit në Kosovë, i njohur kryesisht për rolin e tij si president i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) nga viti 1996 deri në vitin 2021, një periudhë mbi 25 vjet gjatë së cilës ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e sportit kosovar. Gjatë drejtimit të tij, KOK-u arriti njohjen zyrtare nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në dhjetor të vitit 2014, një moment historik që hapi rrugë për sportistët e Kosovës për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike nën flamurin e tyre.

Për punën dhe përkushtimin e tij në promovimin e sportit dhe lëvizjes olimpike në vend, Hasani është nderuar me “Urdhrin Olimpik”, çmimi më i lartë që jep IOC, duke u vlerësuar si pionier i sportit kosovar dhe si udhëheqës që ka ndikuar në sukseset ndërkombëtare të atletëve kosovarë.