Dash Sula, ish deputeti i Partisë Demokratike, ka marrë zyrtarisht detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm pasi u emërua në këtë post, duke pasuar Shkëlqim Hajdarin.
Teksa mbajti fjalën e tij të parë, Sula e cilësoi këtë moment si të veçantë dhe një sfidë personale e profesionale.
Ai vlerësoi gjithashtu punën e paraardhësit në detyrë, Shkëlqim Hajdari, dhe kontributin e stafit ndër vite, ndërsa premtoi përkushtim maksimal në ushtrimin e funksionit.
“Çdo person që kryen një funksion ka një detyrë për të përmbushur në bazë të ligjit dhe do të jetë në raport të drejtpërdrejtë me mua”, u shpreh ai.
Ish deputeti demokrat theksoi se bashkëpunimi me qeverinë do të jetë në kushte maksimale, ndërsa shtoi se me kryeministrin Edi Rama kanë qenë përballë njëri-tjetrit, duke iu referuar kohës së tij si deputet në Kuvend, por shtoi se nuk janë parë kurrë si armiq.
“Përkushtimi do jetë maksimal, edhe nga pikëpamja formale e orarit deri te ora që mbyllet dhe unë ju garantoj se do jem 24 orë për çdo problem që do ketë dikush për të informuar apo për të dhëna që duhet kontakt. Padiskutim edhe me ministren dhe kryeministrin. Gjej rastin në këtë moment sinqerisht, pavarësisht se me zonjën ministre dhe ish-kolegen Gjylameti dhe kryeministrin Rama kemi qenë përballë njëri-tjetrit, kurrë nuk e kemi parë njëri-tjetrin si armiq, por për të çuar diçka më para për Shqipërinë. Për mua kjo detyrë nuk është privilegj, por një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Është një sfidë dhe një ‘dorashkë e hedhur’ për të përmbushur këtë mision”, deklaroi ish deputeti.