Lajme

​Nga rezistenca e viteve ’90 te Inteligjenca Artificiale, UP feston 56 vjet ekzistencë

Universiteti i Prishtinës ka shënuar 56 vjetorin e themelimit ku rektori ku u theksua se ky institucion shihet si një shpresë e një të ardhme të mirë.

Ceremonia e 56 vjetorit të Universitetit të Prishtinës nisi me intonimin e himnit të flamurit dhe me interpretimin e himnit akademik nga Fakulteti i Arteve.

Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu në një fjalë përshëndetëse në këtë përvjetor tha se pritjet nga UP-ja vazhdojnë të jenë shume te mëdha.

Hajrullahu: Universiteti shihet si shpresa për një të ardhme më të mira

“Përvjetorët e mëdhenj dhe të rëndësishëm janë momente solemne që kalohen me reflektime për të kaluarën dhe synimet për të ardhmen. Ky universitet arriti të mbijetoj periudha tepër të vështira gjatë viteve të 90-ta. Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk u thye, asnjëherë nuk u ndal, gjithnjë vazhdoi rrugën përpara. …. Universiteti i Prishtinës u pa dhe u përfytyrua më shumë se sa një universitet, shihet si shpresa për një të ardhme për kohë më të mira… 04.45 Historia, ngjarjet e 5 – 6 dekadave nuk mund të paramendohen pa Universitetin e Prishtinës, studentët dhe profesorët e UP-së. Pritjet nga UP vazhdojnë të jenë shumë të mëdha. Kështu puna për të mirën e përgjithshme nga Universiteti i Prishtinës nuk duhet të ndalet kurrë.”, tha Hajrullahu.

Ai shtoi se një nga arritjet kryesore të kohëve të fundit është se UP-ja ka themeluar Qendrën e Inteligjencës Artificiale.

Hajrullahu: UP-ja së voni ka themeluar Qendrën e Inteligjencës Artificiale

“Me gjithë këtë trashëgimi Universiteti i Prishtinës është i orientuar drejt kohës së po jetojmë dhe drejt së ardhmes…. Së voni kemi themeluar Qendrën e Inteligjencës Artificiale që studentët të përgatiten për të shfrytëzuar në maksimum zhvillimet e hovshme teknologjike. Universiteti i Prishtinës e ka edhe një plan të detajuar të transformimit digjital nga UNDP, zbatimin e bën realitet me ndihmën e miqve dhe dashamirësve të këtij universiteti”, shtoi ai.

Në fjalën hyrëse, Hajrullahu tha se gjatë vitit 2025 shumë studentë dhe personel akademik të UP-së provuan mësimdhënien jashtë vendit. Sipas tij, kohëve të fundit është bërë edhe lidhje me profesorë nga diaspora akademike dhe nga ata që kanë përfunduar studimet në universitetet e njohura të botës.

Hajrullahu po ashtu përmendi edhe çmimet që kanë marrë universiteti, si dhe personeli akademik gjatë viteve të fundit. Ndër to theksoi një nga arritjet kryesore të studentëve brenda këtyre viteve të fundit që ishte zënia e vendit të gjashtë nga studentët e Fakultetit Juridik në Garën ndërkombëtare.

Ndërkaq, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Ademi tha se ministria do të përkushtohet për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë.

Ademi: UP ishte pishtar i ngritjes së vetëdijes kombëtare

“Përveç që ishte pishtar i dijes, ishte edhe pishtar i ngritjes së vetëdijes kombëtare. Roli i këtij institucioni në atë kohë ishte i jashtëzakonshëm. Për ne është nder që kujtojmë themelimin e universitetit. Ai ishte i pazëvendësueshëm dhe kishte rol të jashtëzakonshme. Falë angazhimit të shumë profesorëve kemi arritje të jashtëzakonshëm. Këtu nuk mbaron puna jonë dhe nuk jemi në kulmin e asaj që do të arrijmë. Si ministri e arsimit të vetëdijëshëm si përfaqësues të nivelit të arsimit të lartë kemi marrë disa hapa për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë janë bërë reforma qoftë në aspektin rregullativ por edhe mbështetje për ngritjen e infrastrukturës, mbështetje për studentët duke ju siguruar studim falas si dhe bursa të ndryshme. Përkushtimi jonë për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë do të jetë i vazhdueshëm. E jona është se bashkërisht të vazhdojmë punën dhe kjo nuk do të kishte arritur pa angazhimin e secilit prej jush e secilit prej nesh. Universiteti nuk ofron thjeshtë një edukim por janë baza për zhvillimin në aspektin e ruajtjes dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare”, tha Ademi.

Kurse, nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Fejzullah Krasniqi tha se që nga themelimi, UP ka qenë shtylla kryesore e dijes dhe kërkimit shkencor, zhvillimit intelektual dhe zhvillimit profesional.

Në ceremoninë e shënimit të 56 vjetorit të UP-së, u nderuan me mirënjohje për Universiteti i Lubjanës dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Savonjas.

Në vazhdim të ceremonisë u dha një video mesazh nga profesori i Universitetit të Japonisë që për shumë vite ka kontribuar në Universitetin Veror të Prishtinës dhe një video mesazh nga Universiteti i IOËA në Amerikë, një nga partnerët ndërkombëtar më të rëndësishëm të UP-së.

Ceremonia u shoqërua edhe me program artistik të përgatitur nga profesorë të Fakultetit të Arteve.

Kuvendi themelues i Universitetit te Prishtinës u mbajt me 13 shkurt 1970 ndërsa dy ditë më vonë, më 15 shkurt u mbajt mbledhja solemne e kuvendit dhe kjo ditë u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës.

Të Ngjashme