Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, lidhur me lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan, Eliot Engel.
Begaj shprehu vlerësimin e tij për Engel-in, duke e konsideruar si një ndër personalitetet amerikane më të përkushtuara ndaj çështjes shqiptare dhe shqiptarëve.
“Sot u nda nga jeta Eliot Engel, një mik i madh i shqiptarëve dhe një derë gjithmonë e hapur për ta. Me mirënjohje të thellë, falënderojmë për gjithçka që bëri për Kosovën dhe për kombin shqiptar, veçanërisht në momentet më të vështira të historisë sonë.
Emri i tij do të mbetet përgjithmonë në kujtesën dhe në zemrat e shqiptarëve, si një nga miqtë tanë më të vyer, që qëndroi pranë nesh me përkushtim dhe guxim.
U prehsh në paqe!”, shkruan presidenti.
Ndërsa në njoftimin e Presidencës për mediat shtohet: “Nga sot shqiptarët kanë një mik më pak”.
Eliot Engel, është ndarë nga jeta të premten në moshën 79-vjeçare. Engel njihet si një nga mbështetësit kryesor të çështjes shqiptare, si ligjvënësi kryesor amerikan i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.
Ai u largua nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më shumë se tre dekadash në detyrë.
