Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nga të shtënat me armë, një plumb qorr bie në një banesë në Prishtinë

Nga të shtënat me armë zjarri sot rreth orës 04:00 një plumb qorr ka shpuar dritaren e një banese në rrugën “Lidhja e Pejës”, në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin një qytetar (emër i njohur për redaksinë), i cili po ashtu ka dërguar edhe fotografi të plumbit si dhe të dritares së banesës së tij.

Gjithashtu edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Telegrafin se ka pasur të shtëna me armë në këtë pjesë të Prishtinës, ku si pasojë një person ka mbetur i plagosur.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, i plagosuri është dërguar për tretman mjekësor.

“Sot rreth orës 04:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ” Lidhja e Pejës në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Tutje sipas saj, hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit/ personave të dyshuar si dhe ndriçimin e plotë të rastit.