Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nga Vasfije Kraniqi te Igo Rogova, presidentja Osmani përmend gratë që e kthyen dhimbjen në forcë me lidershipin e tyre

 
   

Dje (e enjte) në konferencën hapëse të edicionit të dymbëdhjetë të Javës së Gruas 2025, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti një fjalë frymëzuese, duke vënë theksin te fuqia e grave dhe vajzave që kanë udhëhequr ndryshimin në shoqëri.

“Rrugëtimi ynë deri në këtë pikë nuk erdhi vetvetiu. Atij rrugëtimi i prinë gra e vajza që nuk u pajtuan kurrë me kufizimet, nuk pranuan të dorëzohen, ato të cilat e dinin të qartë që nese duan që shoqëria jonë të ecë përpara hapin e parë duhet ta hedhim ne vet. Prandaj kur flasim për lidershipin që transformon nuk kemi nevojë të shohim as përtej kufijve tanë, e as të kthehemi shumë pas në kohë”, u shpreh Osmani.

Presidentja theksoi se rrugëtimi i Kosovës drejt barazisë gjinore nuk ka qenë i lehtë, por është ndërtuar mbi guximin dhe vendosmërinë e grave që refuzuan të pajtohen me kufizimet dhe paragjykimet.

Duke përmendur figura të njohura që kanë frymëzuar dhe transformuar komunitetet e tyre, Osmani solli në vëmendje emra si Vasfije Krasniqi dhe Shyhrete Tahiri Sylejmani, të cilat u bënë simbole të fuqisë dhe qëndresës, si dhe Fahrije Hotin, e cila shndërroi humbjen personale në fuqi kolektive për gratë e komunitetit të saj.

Ajo vlerësoi edhe suksesin e Majlinda Kelmendit, që me arritjet e saj në sport hapi rrugën për një brez të tërë kampionesh si Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe të tjera. Po ashtu, përmendi kontributin e Igo Rogovës, të cilën e cilësoi si ikonë të lëvizjeve për të drejtat e grave në Kosovë.

“Shembuj të këtij lidershipi na rrethojnë dhe i kemi shumë pranë, madje edhe në këtë sallë. Të tilla janë gratë si Vasfije Krasniqi, Shyhrete Tahiri Sylejmani, dy gra që u shndërruan në simbol sepse e shndërruan vuajtjen në forcë për të ecur përpara dhe për të ndryshuar jetën e shumë grave e burrave të tjerë, që ende luftojnë në heshtje me plagët e pashërueshme. E tillë është Fahrije Hoti e cila e ktheu humbjen në një fuqi transforumuese për gjithë komunitetin e saj, për të gjitha gratë në fshatin dhe qytetin e saj dhe më tej. E tillë është Majlinda Kelmendi e cila arriti majat e botës në xhudo dhe hapi rrugën jo vetëm për triumfin e Distrias e Nora Gjakovës, e tillë është Igo Rogova, një ikonë që i priu lëvizjeve që janë themele të transformimit të shoqërisë sonë, e shumë e shumë gra të shoqërisë civile, të mediave, të politikës e shumë të tjera për të cilat nuk dëgjojmë në televizion por bëjnë shumë më shumë se sa ne e pranojmë që bëjnë publikisht”, potencoi ajo.

Në përmbyllje, presidentja falënderoi të gjitha gratë që kanë kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë:

“Faleminderit secilës prej tyre”, tha mes tjerash presidentja Osmani.