Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Ngadhnjim Arrni zgjidhet kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinës

 
   

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka emëruar gjyqtarin, Ngadhnjim Arrnin kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Arrni mori gjithsej 8 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.

Në garë për këtë pozitë ishin edhe gjyqtarët, Alban Ajvazi dhe Kushtrim Shyti.

Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj tha se gjyqtarit, Arrni tani në pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka mandat pesë vjeçar.

“Me 8 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër gjyqtari Ngadhnjim Arrni emërohet kryetar i Gjykatës në Prishtinë, mandati i të njëjti është pesë vite” , tha ai.

Në mbledhjen e sotme Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka miratuar draft rregulloren për pagesën e shpenzimeve të procedurës penale në gjykatat e Republikës së Kosovës.

Për këtë rregullore, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se kjo rregullore të ketë impakt në politikat ndëshkimore, por edhe në të hyrat e sistemit gjyqësor.

“Një prej akteve më të rëndësishme këtë vit meqenëse realisht organizonin qasjen e gjithë gjykata në procese gjyqësore. Por, njëkohësisht se do të ketë impakt në politikën ndëshkimore për dënimet me gjobë sepse nuk mund të jetë pastaj dënimi më i ulët se shpenzimet, pra ka impakt të dyfishtë dhe njëkohësisht besoj se do të kontribuoj në të hyrat që sistemi gjyqësor gjeneron në buxhetin e vendit. Besoj se do të ketë rritje”, theksoi Zogaj.

Sot KGjK kanë miratuar edhe draft rregulloren për sistemin qendror të evidencës penale në Republikën e Kosovës, si dhe draft rregulloren për regjistrat e personave që iu hiqet zotësia e veprimit, regjistrin e personave që iu hiqet e drejta prindërore, si dhe regjistrin e adoptimit.

Po ashtu, përkrahi iu dha edhe udhëzimit administrativ për përmbajtjen e ueb faqes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatave të Republikës së Kosovës.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Drita Rexhaj tha se ky udhëzim kontribuon në rritjen e transparencës dhe digjitalizimit në sistemin gjyqësor.

“Objektiv kryesore e këtij dokumenti është rritja e transparencës, llogaridhënies dhe besueshmërisë në publikun për sistemin gjyqësor përmes publikimit të rregullt dhe në kohë të vendimeve dokumenteve strategjike, raporteve, planeve të punës dhe informatave të tjera që janë me karakter publik”, tha ajo.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme ka martuar edhe planin vjetor të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2026.

Drejtori i Zyrës Ligjore në KGJK, tha se planit vjetor i punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2026 paraqet një dokument strategjik që përcakton prioritetet.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj tha se pikë kyçe në këtë plan të punës për vitin 2026 është drejtësia administrative.

“Pika kyçe me këtë draft që ne miratojmë sot është vendos në fokus drejtësia administrative, por që realisht në dakord edhe me sekretariatin dhe zyrën e BE del edhe nga raporti i Progresit dhe është rekomandim i nënkomiteti për drejtësisë dhe siguri duhet ta kemi të fokusuar drejtësisë administrative…plani është i strukturuar në alternativë nëse eventualisht nuk do të kemi gjykatë administrative gjatë vitit 2026 ky plan shkon në fuqizim të departamentit për çështje administrative në strukturën aktuale që ka por që patjetër do të ketë organogram”, tha ai.

KGJK sot ka miratuar edhe organogramin e përgjithshëm të gjykatave për vitin 2026. Me këtë rast, udhëheqësi i këshillit tha se sistemi gjyqësor i Kosovës ka numrin më të ulët të gjyqtarëve në nivel të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se ky është alarm për pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ.

“474 pozita në sistemin gjyqësor përfaqësojnë nivelin më të ulët në Ballkanin Perëndimor, sipas mesatares për numrin e popullsisë dhe kjo do të duhej të paraqiste një alarm për dy pushtetet e tjera ekzekutivin dhe legjislativin sepse Kosova pavarësisht se ka një hartë horizontale të shtrirë të ndryshme nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor që nënkupton që numri i gjyqtarëve duhet të jetë mbi mesataren e vendeve të Ballkanit për fat të keq ne vazhdojmë me qenë nën mesataren”, tha ai.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme ka shpall tri pozita të lira për anëtar të këtij këshilli, derisa gjyqtarja, Ivana Milenkoviq është emëruar nënkryetare e Gjykatës së Apelit.