Aktuale

Ngjan si bombardim lufte, por jo! Autostrada dhe zona përreth Milotit mbytet nga tymi i djegies së gomave

Re të dendura tymi të zi janë shfaqur sërish pasditen e sotme në zonën e Milot, duke u bërë të dukshme edhe nga superstrada që përshkon këtë segment. Pamjet tregojnë djegie të materialeve ende të panjohura, një situatë që sipas banorëve po përsëritet vazhdimisht.

Banorët e zonës shprehen se kjo nuk është hera e parë që ndodh një fenomen i tillë. Djegia e materialeve në këtë zonë është kthyer në një problem të përsëritur, duke shkaktuar ndotje të madhe të ajrit dhe rrezik për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor.

Megjithatë, pavarësisht përsëritjes së kësaj situate, deri më tani nuk raportohet për ndërhyrje konkrete nga institucionet përgjegjëse për ta frenuar atë. Bashkia Kurbin, Policia e Shtetit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi rastin dhe as për personat që mund të qëndrojnë pas këtyre djegieve.

Mbetet e paqartë se kush i shkakton këto zjarre dhe për çfarë qëllimi po digjen materiale pranë lumi Mat. Deri tani nuk është bërë publike asnjë masë konkrete për ndalimin e kësaj praktike, e cila vijon të përsëritet dhe të ngrejë shqetësime për ndotjen e ajrit dhe rrezikun për shëndetin e banorëve.

Të Ngjashme