Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Ngjyra e gjuhës mund të tregojë problemet e zemrës

Një studim i ri nga Universiteti i Mjekësisë në Sussex sugjeron se gjuha e njeriut mund të japë sinjale të hershme për dëmtimin e zemrës, sipas knowridgesciencereport.com.

Referuar shkencëtarëve, pacientët me këtë sëmundje kanë ndryshime të dallueshme në pamjen dhe bakteret e gjuhës krahasuar me njerëzit e shëndetshëm.


Banner

Tek personat pa probleme kardiake, gjuha zakonisht është rozë e çelur dhe me një shtresë të hollë të bardhë. Por, në rastet e problemeve të zemrës, ajo shfaqet më e kuqe dhe e mbuluar me një shtresë më të trashë, shpesh me ngjyrë të verdhë.

Sa më i rëndë të jetë problemi i zemrës, aq më të theksuara bëhen këto ndryshime. Për të hetuar këtë lidhje, studiuesit analizuan 42 pacientë me dështim kronik të zemrës dhe i krahasuan me 28 persona të shëndetshëm.

Të gjithë pjesëmarrësit nuk kishin probleme dentare, infeksione apo përdorim të antibiotikëve, për të shmangur ndikime të jashtme te mikrobet orale. Mostrat e shtresës së gjuhës u morën në mëngjes, përpara larjes së dhëmbëve apo konsumimit të ushqimit.

Analizat gjenetike të baktereve përmes metodës 16S rRNA, treguan dallime të mëdha mes të dy grupeve. Pacientët me dështim të zemrës kishin një përbërje krejt tjetër bakteriale, me pesë lloje bakteresh që dallonin saktësisht mes tyre dhe të shëndetshmëve me rreth 84% saktësi.

Disa prej baktereve, si eubacterium dhe solobacterium, binin ndjeshëm me përkeqësimin e gjendjes së zemrës.

Këto rezultate sugjerojnë se analiza e gjuhës mund të bëhet një mjet i thjeshtë, jo invaziv dhe potencialisht i dobishëm për të zbuluar ose monitoruar dështimin e zemrës. Nëse metoda zhvillohet më tej, mund të shërbejë për kontrolle të shpejta e të përballueshme, madje edhe në shkallë të gjerë.

Ndërsa nuk dihet ende nëse ndryshimet në bakteret e gjuhës janë shkak apo pasojë e sëmundjes, studiuesit theksojnë se këto të dhëna hapin një rrugë të re kërkimore. Trupi ynë, duket se tregon shumë më tepër sesa mendojmë dhe gjuha mund të jetë një dritare e fshehur drejt shëndetit të zemrës.