Nga janari qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë faturat e ujit. Kjo pasi Autoriteti Rregullator i Shërbimeve të Ujit pas kërkesave të kompanive rajonale të ujësjellësit, ka marrë vendim për ngritjen e tarifave.
Në Prishtinë për konsumatorët shtëpiak për metër kub tarifa ka qenë 44 cent, derisa nga janari tarifa është ngritur në rreth 63 cent, në Prizren tarifa ishte 38 cent, tani e tutje do të jetë 56 cent, në Pejë nga 25 cent konsumatorët do të paguajnë 39 cent, në Mitrovicë nga 36 cent tarifa është ngritur në 53 cent, në Gjakovë nga 37 cent tarifa u ngrit në 52 cent, në Ferizaj nga 37 cent në 53 cent, ndërsa në Gjilan nga 35 cent në 54 cent.
Për këtë ngritje të çmimeve një pjesë e qytetarëve kanë thënë se nuk janë të informuar. Nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit këtë ngritje të çmimeve e kanë arsyetuar me rritjen e çmimit të energjisë elektrike si dhe zgjerimin e rrjetit.
“Tarifat për shërbimet e ujit dhe ujërave të ndotura, të miratuara në kuadër të procesit tarifor 2026-2028, janë ndikuar kryesisht nga rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike, si dhe nga rritja e kostove të tjera operative dhe investive, përfshirë mirëmbajtjen dhe zgjerimin e rrjetit. Miratimi i tyre është bërë duke pasur për qëllim mbulueshmërinë e kostove dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve”, kanë thënë nga ky autoritet.
Qytetarët kanë kundërshtuar çdo ngritje të tarifave. “Nuk është veç uji, por tek të gjitha, te rryma, tek ngrohja, te mbeturinat, të gjitha kanë filluar të ngriten 100%. Sa munden qytetarët t’i përballojnë këto. Nuk e di a i mendon dikush këto, a mundemi me ia dalë a jo”, tha një qytetar.
“Shtrenjtimi i ujit ndikon negativisht jo vetëm te unë, por te e gjithë familja. Shtrenjtimet nuk janë vetëm te faturat e ujit. Sikur të ishin veç te uji, do të ishte më lehtë”, tha një tjetër qytetar.
E sipas njohësve të ekonomisë ngritja e këtyre tarifave nuk arsyetohet në situatën aktuale.
“Kur i analizon pasqyrat financiare që ato paraqesin apo investimet kapitale nuk arsyetohet ngrija e çmimit. Këtu një lloji faji e kanë edhe institucionet e Kosovës, të cilat duhet të fokusohen pak më shumë në mbikëqyrjen e autoritetit rregullativ, për faktin se qytetarët e Kosovës e kanë të pamundur t’i paguajnë këto tarifa”, tha Lulzim Beqiri.
Ekipi i RTK-së ka komunikuar me kompanitë rajonale të ujësjellësit të cilat e kanë konfirmuar se kanë kërkuar ngritje të tarifave. Një pjesë e tyre kanë kërkuar që të njëjtat të ngriten për 100%, kjo me arsyetimet se dalja në treg të lirë të energjisë elektrike ua ka rritur kostot.

