Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet A.I., nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kanosjes ndaj tre gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
Sipas njoftimit zyrtar, i pandehuri gjendet në masën e paraburgimit që nga 3 shkurti 2026. Aktakuza është ngritur nga Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Ngjarja ka ndodhur më 30 janar 2026, rreth orës 14:30, në ambientet e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti. Sipas aktakuzës, pas përfundimit të një seance gjyqësore në procedurë civile, A.I. dyshohet se ka kanosur gazetaren E.C. dhe kameramanin D.N. nga gazeta “Nacionale”, si dhe gazetarin hulumtues F.K. nga “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria bën të ditur se i pandehuri, derisa gazetarët po kryenin detyrën e tyre, është drejtuar para kamerës dhe ka bërë një veprim kanosës duke vendosur dorën në fyt në formë kërcënuese, gjest që nënkupton rrezik për jetën apo integritetin trupor. Si pasojë e këtij veprimi, tek të dëmtuarit thuhet se janë shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën.
Me këto veprime, A.I. akuzohet për veprën penale “Kanosje”, sipas nenit 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
