Besimtarët e Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nisin sot Kreshmën e Madhe, periudhën 40-ditore të përgatitjes shpirtërore për kremtimin e Pashkës, e cila sivjet përfundon më 12 prill me festën e Ngjalljes së Krishtit.
Kreshma konsiderohet një kohë pendimi, faljeje dhe përkushtimi, ku theksi vihet te pastrimi shpirtëror dhe afrimi me Perëndinë përmes agjërimit dhe lutjes. Sipas mësimit biblik (Mateu 6:14-18), falja ndaj të tjerëve është kusht thelbësor i kësaj periudhe.
Gjatë Kreshmës nuk lejohen ushqimet me bazë shtazore, përfshirë mishin, bulmetin dhe vezët, ndërsa peshku lejohet vetëm në raste të veçanta si më 25 mars dhe të Dielën e Dafinave. Besimtarët këshillohen të ndjekin udhëzimet e atit shpirtëror, duke pasur parasysh se qëllimi i Kreshmës është përmirësimi shpirtëror dhe jo dëmtimi i shëndetit.
