Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nuk solli ndonjë rezultat për sa i përket emrit të kandidatit për president të ardhshëm.
Nga ky tubim doli hapur vetëm dëshira e këtij subjekti politik që Murat Jashari të ishte kandidati i duhur për president, porse ky i fundit ditë më parë e refuzoi “ofertën”.
Ndërsa familja legjendare Jashari zgjodhi të mos politizohej, e vetmja kandidaturë potenciale për postin e presidentes është ajo e Vjosa Osmanit, e cila duket se aktualisht nuk po arrin t’i mbledh as nënshkrimet e duhura për t’i hyrë procedurave garuese.
Nga ana tjetër, Osmani po vazhdon të ketë mbështetjen e madhe ndër qytetarë dhe kjo vërehet edhe nëpër rrjete sociale, ku Kurtit po i bëhet thirrje që ta shpallë si kandidate për këtë post.
Publicisti dhe njohësi i rrethanave politike Prof. Dr. Mehdi Hyseni me anë të një shkrimi dërguar gazetës “Bota sot” ka numëruar disa prej arsyeve se përse Vjosa Osmani duhet të rizgjedhet në postin e Presidentes.

Prof. Dr. Mehdi Hyseni
“Vjosa Osmani të rizgjedhet në postin e Presidentes. Sepse qarqet e larta politike dhe diplomatike zyrtare të Shteteve të Bashkuara së bashku me presidentin Donald Trump në krye kanë krijuar bindjen dhe besimin se Vjosa Osmani është një nga figurat më të volitshme për të bashkëpunuar me Uashingtonin zyrtar. Prandaj, të ruhet kjo konstantë e mirëbesimit dhe e bashkëpunimit të deritashëm, duke e rizgjedhur Vjosa Osmanin Presidente të Kosovës, të cilën populli me votën e tij të lirë dhe demokratike e zgjodhi me plebishit në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, më 28 dhjetor 2025”, ka thënë Hyseni për “Bota sot”.
Në anën tjetër, sipas profesorit, Murat Jashari do të duhej të ishte president para Vjosa Osmanit, në kohën para se të zgjedhej president Hashim Thaçi.
“Ku ishit deri tash, pse nuk iu ra ndërmend zgjedhja e Murat Jasharit? ! Vërtet, si thotë ndër të tjera kryeministri Albin Kurti se “Murat Jashari është emblemë” e kombëtarizmit dhe e qëndresës heroike legjendare në Pekazin e Drenicës së Shqipërisë Etnike (5,6,7 mars 1998), por, tani nuk është momenti historik, as politik e as diplomatik, që të zgjedhet president i Kosovës në vend të Vjosa Osmanit, sepse kjo ka krijuar një imixh të posaçëm në bashkëpunimin me përfaqësuesit e qeverisë amerikane dhe të Presidentit Donald Trump. Ndaj, këtë konstantë të qëndrueshme e kërkon momenti ekzistues i bashkëpunimit diplomatik i Kosovës me Amerikën dhe me aleatët e saj evroianoperëndimorë .
– Po, cili shqiptar, që i thotë vetes bir shqiptari nuk është për kandidaturën e Murat Jasharit për President të Kosovës. Mirëpo, ky nuk është momenti i volitshëm as politik e as diplomatik, kur bota po digjet në flakë nga shumë konflikte dhe probleme mes shteteve të ndryshme. Së këndejmi, edhe Kosova po kërcënohet nga sfera e interesave të influencës së militarizmit dhe të neokolonializmit të Rusisë, të Kinës dhe të Serbisë dhe e amalgamës së tyre përditë duke e kërcënuar Kosovën me luftë dhe në forma të tjera të ndërhyrjes në punë të brendshme”, potencon ai.
Për këto arsye, profesori bën thirrje që të mënjanohen zërat e grupeve politike për ndërrimin e presidentes Osmani, e cila sipas tij, është vlerësuar në qarqet më të larta të politikës dhe të diplomacisë amerikane.
“Prandaj, është e udhës të lihen “fizkulturat” e grupeve politike pozitë opozitë, se gjoja sipas disa zërave karrieristë, tashmë, duhet ndërruar presidenten Vjosa Osmani qoftë me consensus apo me shumicë të votave të deputetëve në Parlament. Kjo “rrokadë” politike nuk duhet bërë për shkak se Presidenti Donald Trump me stafin e tij nuk kanë kohë të organizojnë “seminare diplomatike” 3-mujore ose 6-mujore për trajnimin e studentëve të rinj për presidentë të Kosovës, duke qenë se qe 5 vjet kanë Profesoreshën e së drejtës ndërkombëtare, të politikës dhe të diplomacisë ndërkombëtare Vjosa Osmanin, e cila tanimë është vlerësuar në qarqet më të larta të politikës dhe të diplomacisë amerikane. Kjo ishte edhe arsyeja, që Kosova me admirim të pranohej në Bordin e Paqes së Donald Trumpit.
Prandaj, rizgjedhjen e Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës e imponojnë interesat komplementare të objektivave prioritare të diplomacisë zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky ekuilibër i këtyre marrëdhënieve nuk duhet rrezikuar në asnjë mënyrë, pavarësisht çfarë thonë opozita dhe pozita politike e Parlamentit dhe e Qeverisë së Kosovës
Duke qenë se niveli më i lartë i afirmimit të Kosovës në planin ndërkombëtar, veçanërisht në atë të objektivave prioritare strategjike kombëtare dhe shtetërore të Amerikës, është kontibuti dhe merita e presidentes Vjosa Osmani, e askujt tjerë. Kjo përparësi në diplomacinë ndërkombëtare, përkatësisht në axhendën e doktrinës së presidentit Donald Trump në kuadrin e Bordit të Paqes, bëri që Kosova të llogaritet si një nga vendet më të privilegjuara dhe më atraktive të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, rikujton Hyseni.
Kjo përparësi e diplomacisë së Uashingtonit ndaj Prishtinës, sipas profesorit mund të ruhet dhe të thellohet edhe më shumë, po qe se Vjosa Osmani mbetet edhe më tej në postin e Presidentes së Kosovës.
“Ndryshe, rrethanat e zhvillimit të ngjarjeve në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare, do të ndikojnë në krijimin e ekuilibrit të sistemit të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, duke filluar që nga Gaza, Irani, Ukraina, Pakistani, Afganistani, Bangladeshi, India…etj. Së këndejmi, mund të vijë në shprehje edhe çekuilibri i “prioriteteve” të bashkëpunimit të Uashingtonit zyrtar me Prishtinën, nëse në ballë të Kosovës, do të jetë ndonjë president i “panjohur” dhe i pa afirmuar në politikën dhe në diplomacinë ndërkombëtare. Për këtë arsye nuk duhet nxituar me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Do të ishte mrekulli sikur Murat Jashari ta propozonte Vjosa Osmanin , që të rizgjedhej edhe një mandat në postin e Presidentes së Kosovës
Ndaj të mos dalim vullnetarisht (sipas interesave ndërpartiake) nga “lista prioritare” e objekivave politike dhe diplomatike të Amerikës, kur është fjala për bashkëpunimin, mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Hyseni ka thënë se, edhe vet familja Jashari dhe profesori Murat Jashari do të ishte mirë që ta mbështesnin kandidaturën e Vjosa Osmanit.
“Pavarësisht se kundërkandidati i Vjosa Osmanit, Murat Jashari si figurë unifikuese i plotëson dhe, më përtej kushtet ligjore dhe kushtetuese me kredibilitet të familjes së Adem, Hamëz dhe Shaban Jashari dhe të “58 anëtarëve të tjerë heronj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës (4,6,7 mars 1998), do të ishte mirë që Murati ta mbështete Vjosa Osmanin të rizgjedhej Presidente e Kosovës, për shkak se ka arritur afirmimin e saj në diplomacinë ndërkombëtare, duke i sjellë Kosovës disa njohje të reja ndërkombëtare (Sudani, Siria, Kenia, Bahames, Emiratet e Bashkuara Arabe). Në këtë kontekst, sipas deklaratave zyrtare të presidentes Vjosa Osmani, del se edhe gjatë vitit 2026, Kosovën do ta njohin edhe disa vende të tjera, kryeliderët e të cilave i kanë premtuar gjatë takimeve me ta në forumet e ndryshme ndërkombëtare. Të ruhet ekuilbri dhe koherenca e deritashme strategjike e diplomacisë së bashkëpunimit me Uashingtonin zyrtar të Donald Trumpit”, ka nënvizuar ai.
Në këtë rast, ai ka theksuar se Vjosa Osmani nuk duhet të zëvendësohet me ndonjë emër tjetër, sepse ajo me sukses ka depërtuar dhe është afirmuar në qarqet më të larta zyrtare të Amerikë për shkak të përvojës së saj politike.
“-Është i qartë dhe i kuptueshëm fakti se, sa i përket rizgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente e Kosovës, është e drejtë demokratike. e ligjshme dhe kushtetuese e çdo qytetari, që ta votojë ose mos ta votojë atë, që të rizgjedhet presidente e Kosovës. (Këtu s’ka inati e as padrejtësi), duke qenë se jetojmë në një sistem parlamentar demokratik, ku alfa dhe omega është vota e lirë, legjitime, legale, kushtetuese dhe demokratike e popullit. Mirëpo. Në këtë rast Vjosa Osmani nuk duhet të zëvendësohet me ndonjë emër tjetër, sepse kjo me sukses ka depërtuar dhe është afirmuar në qarqet më të larta zyrtare të Amerikës në saje të përvojës si lidere politike, së pari në LDK, në Kuvendin e Kosovës, Kryetare e Kuvendit të Kosovës (disa ditë) derisa u zgjodh presidente e Kosovës, si dhe duke falënderuar përgatitjes së saj profesionale si profesoreshë e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Pittsburgh-ut të Pennsylvana-s në Amerikë dhe në Fakultetin Juridik publik të Universitetit të Prishtinës”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, partitë politike kanë afat deri të mërkurën që të propozojnë emrin e kandidatit/es për president, në të kundërtën vendi shkon sërish zgjedhje.
