Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nis sezoni i gjuetisë

 
   

Në vendin tonë këtë fundjavë, zyrtarisht u hap sezoni i gjuetisë për lloje të caktuara të kafshëve të egra.

Në Stallovë të Malësisë së Gollakut, u bën bashkë gjuetarë nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi.

Gjahtarët zunë disa pre, ndërkohë që nuk u regjistrua asnjë incident. “Pas mbledhjes kemi vazhduar nëpër terrene të ndryshme, grupe të ndryshme të gjahtarëve dhe gjuetia ka zgjat deri në orën 12.45. Kafshët që lejohen të gjuhen në këtë sezon janë derri i egër dhe dhelpra, janë të përjashtuara kafshët e mbrojtura si dreri, ujku, macja e egër”, tha gjuetari Qemajl Selimi.

Me armë në krahë, rrugën për në Stallovë e mori edhe gjahtarja Evelina Ajazaj. “Me gjueti me u marrë është jashtëzakonisht e vështirë, duke e parë edhe se sa e rëndë është arma, edhe trajnimi i zagarëve. Është sport i kushtueshëm, pastaj kërkon edhe shumë leje, nga federata, leje në poligon. Armën që e kam sot e kam huazuar nga një shok i imi”, tha Ajazaj.

Pretë e para të gjahtarëve ishin tre derra të egër e një dhelpër. Organizatorët treguan se interesimi për t’u marrë me gjueti është i madh, teksa theksuan se organizimi i sotëm kaloi pa asnjë incident.

“Interesimi është i vazhdueshëm, sidomos i të rinjve që po certifikohen me të madhe, ata pajisen me armë të gjuetisë, kështu që kryesisht rinia është e pasionuar pas këtij sporti”, u shpreh Enver Hiseni nga Federata e Gjahtarëve të Kosovës.

Skender Sadikaj, kryetar i shoqatës së gjahtarëve “Theranda”, tha se e kanë menaxhuar mirë gjuetinë dhe se është rritur numri i kafshëve të egra.

“Ne kemi menaxhuar mirë me gjuetinë tonë, është rritur numri i kafshëve të egra. Shpresoj që ministria përkatëse të na dalë në ndihmë sepse numri i arinjve është rritur shumë”, tha ai.

Nga Ministria e Bujqësisë treguan se për gjueti 25 vende kanë plotësuar kriteret në Kosovë.

“Përgatitjet janë të përshkruara në ligj, çdo vendgjueti duhet të ketë të aprovuar planin 10 vjeçar të menaxhimit të asaj gjuetie, të ketë planin vjetor nga komuna dhe të gjithë gjuetarët duhet të jenë të certifikuar”, theksoi Tahir Ahmeti, drejtor i departamentit të pyjeve në Ministrinë e Bujqësisë.

Në këtë aktivitet nuk munguan as pjesëmarrës nga Shqipëria e Mali i Zi. “Uroj dhe dëshiroj të mos kemi asnjë lloj incidenti apo ngjarje të jashtëzakonshme e të zbatohen rregullat strikte te gjuetisë sepse kemi të bëjmë me armë”, tha Adem Shehu, ish-komandant i UÇK-së.

“Meqenëse profesioni im lidhet me natyrën, e konsiderojmë aktivitet të rëndësishëm pasi gjuetarët janë monitoruesit më të mirë të faunës“, tha Aurora Piroviq, biologe nga Shkodra.