Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Nisen të gjithë zarfet me fletëvotime për votim jashtë Kosovës

 
   

Për herë të parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë vetës detyrë që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë përmes postës pakot me fletëvotime për të votuar në Zgjedhjet Lokale.

Ky shërbim pritet të realizohet për 43 mijë e 933 shtetasit e Kosovë, të cilët aplikuan dhe u regjistruan për të votuar përmes postës në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Në mbledhjen e mbajtur sot nga KQZ, u prezantua raporti për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, për votim me postë për Zgjedhjet Lokale. Sipas raportit, KQZ ka nisur përmes postës rreth 44,000 pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe shërbimet postare po i përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.

Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës dhe 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë. Zarfi i cili i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.

Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ.

Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike tha se të gjitha zarfet me fletëvotime tashmë gjinden jashtë territorit të Kosovës.

Buzhala: Tashmë të gjithë zarfet me fletëvotime gjinden jashtë territorit të Kosovës

=“Raporti shpjegon gjithë procesin që është realizuar me qëllim të dërgimit të pakove me fletëvotime i cili ka filluar me datën 15 shtator dhe ka përfunduar në vikendin e kaluar. Gjithashtu në këtë raport janë paraqitur edhe të dhënat e përgjithshme lidhur me numrin e zarfeve që ka pranuar Posta e Kosovës nga sekretariati i KQZ-së, ku tashmë të gjithë zarfet me fletëvotime gjinden jashtë territorit të Kosovës, një pjesë dërrmuese e tyre kanë arritur në shtetet e caktuara… Po ashtu janë dorëzuar 2050 zarfe të kompletuara të cilat do të dërgohen me postën e shpejtë në shtetet si Australi, Kanadë, Islandë, Indonezi, Irlandë, Izrael e të tjera. Do të thotë shtetet që bëjnë pjesë jashtë kontinentit të Evropës.”

Po ashtu, në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për akreditimin e 18,041 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.

Periudha e votimit përmes postës, e cila ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, vlenë vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.