
Në Suharekë kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të këtij qytetit i cili do t’i ketë mbi 6 mijë ulëse dhe do të kushtojë 11 milionë euro.
Në vënien e gurthemelit,kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se ky stadium pritet të përfundojë brenda 750 ditësh dhe do të jetë i kategorisë D sipas standarteve të UEFA-s.
Kurti: Stadiumi i Suharekës do të kryhet për 750 ditë
“Jemi bashkë në Suharekë sot për vënien e gurthemelit të stadiumit i cili është i kategorisë D sipas UEFA-s, do të ketë më shumë se 6 mijë e 500 ulëse, një lajm i jashtëzakonshëm për Suharekën dhe futbollin e sportin e Kosovës. Morëm vesh që për 750 ditë do të kryhen të gjitha punimet e nevojshme në mënyrë që ashtu siç duket në projekt, të duket edhe në realitet…Ne me këtë stadium i cili e ka vlerën e gjithmbarshme të investimit rreth 11 milionë euro, lajmë një pjesë të borxhit shtetëror për këtë ekip të jashtëzakonshëm që padyshim se po frymëzon që sa më shumë të rinj e të reja të merren me sport”, theksoi Kurti.
Ndërsa, ministri në detyrë i Minsitrisë së Sportit, Hajrulla Çeku, deklaroi se ky është një investim shumë i rëndësishëm për qytetin e Suharekës, derisa shtoi se investime të tilla janë pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosvës për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.
Çeku: Në Suharekë po nis një investim shumë i rëndësishëm
“Ky investim është pjesë e një programi shumë më të madh të Qeverisë së Kosovës, jo vetëm i ministrisë, buxheti për infrastrukturën e futbollit ka kërkuar zotim të veçantë dhe kryeministrit sepse e ka kuotuar rëndësinë që e ka futbollit për shtetin tonë. Jemi duke investuar në shumë qytete të Kosovës, disa stadiume tashmë në realizim, disa përfundojnë shumë shpejtë, të tjerat nisin ndërkohë. Jam shumë i lumtur që Suharekës po ia nisim këtë investim shumë të rëndësishëm bashkë me fushën ndihmëse që tashmë është në përfundim e sipër”, deklaroi Çeku.
I lumtur me këtë projekt u shpreh edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i cili tha se ky qytet e meriton të ketë kushte shumë më të mira infrastrukturorë në sport.
Në këtë stadium pritet që ndeshjet t’i zhvillojnë skuadra e Ballkani, ajo e Suharekës por edhe klube të tjera të kësaj komunës.