Vetëm në orët e fundit janë regjistruar tre raste shqetësuese në Tiranë, ku një djalë u zhduk dhe nuk gjendet, një vajzë e re tentoi ti japë fund jetës kurse një burrë në moshë të thyer u hodh në liqen për të ikur nga kjo botë.
Më konkretisht, shtetasi Xh. R. kallëzoi se është larguar nga banesa, djali i tij, shtetasi S. R., 43 vjeç. Policia tha sot se po punohet për gjetjen e 43-vjeçarit;
Sakaq është çuar për mjekim, në spital, një 22-vjeçare që dyshohet se ka konsumuar mbidozë ilaçesh, në banesën e saj, në Fushë Krujë.
Aktualisht, vajza është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Edhe këtu po punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit;
Ndërkohë, ka tentuar të vetëhidhet në liqenin e Paskuqanit, shtetasi A. A., 82 vjeç, veprim i cili është parandaluar nga punonjësit e Policisë që kanë mbërritur në vendngjarje, pak pas njoftimit.
Ndërsa .aterialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, lind pyetja, përse janë shtuar kaq shumë rastet e zhdukjes së personave dhe përpjekjeve gati të përditshme për ti dhënë fund jetës?
Edhe pak ditë më parë, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, u raportua se 30 vjeçari E.A., banues në Tiranë, ishte zhdukur në rrethana të paqarta. Edhe për këtë rast të denoncuar nga babai, nuk ka gjurmë të të riut.
Ndërsa në rrugën “Irfan Tomini”, në banesë, shtetasi O. D., 39 vjeç, në gjendje të rënduar psikologjike, ka dëmtuar veten me mjet prerës dhe u dërgua në gjendje kritike në spital.
Por dukuria alarmante nuk ka prekur vetëm kryeqytetin. Komunikatat ditore të policisë dhe në rrethe, kanë shpesh raste të ngjashme, duke rritur shqetësimin për dukurinë që nuk po njeh frenim.
Ekspertët e policisë pohojnë se shkaqet kryesore të këture veprimeve janë kryesisht mungesa e të ardhurave dhe çështjet sentimentale.
Megjithatë, sociologët renditin dhe arsye të tjera që konfirmohen gjithashtu nga hetimet policore. Ato janë luhatjet mendore të disa njerëzve deri në probleme të certifikuara mendore, çështje borxhesh, konflikte familjare që pasohen nga mënyra të tilla si shpagim, si dhe sëmundje të ndryshme.
Në Shqipëri ka shumë organizata të ashtuquajtura jofitimprurëse, të cilat më aë shumti financohen nga ndërkombëtarët, por edhe shteti shqiptar. Megjithatë, disa thonë se zëri i tyre thuajse nuk dëgjohet dhe ndikimi për frenimin e dukurisë, nuk duket gjëkundi. /noa.al
