Dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur ende një temë shumë e rëndësishme për ndërkombëtarët, ani pse në këtë drejtim është punuar mjaftë shumë.
E së fundmi në lidhje me këtë çështje ka folur eksperti i çështjeve të Ballkanit, Dushan Janjiq.
Janjiq tha se një dokument i rëndësishëm i përgatitur nga Shtetet e Bashkuara për dialogun Kosovë–Serbi pritet të bëhet publik gjatë muajve mars–prill.
Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se ku dokument shënon një fazë të re të përfshirjes së drejtpërdrejtë amerikane në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Personalisht, unë komunikoj kryesisht me disa kongresmenë dhe ekspertë dhe më pas jam rregullisht në listën e informimit për atë që ndodh në Kongres. Në këtë rast konkret, informacioni për dokumentin më erdhi pikërisht nga këto burime ekspertësh, për shembull nga një kongresmen, i cili tha se kjo mund të ndodhë në mars ose prill. Ky është informacioni që kam marrë atje. Për sa i përket qëndrimit tim ndaj këtij dokumenti, natyrisht bëhet fjalë për një forum që lidhet me marrëdhëniet etnike”, u shpreh Janjiq.
Sipas tij ky dokument shënon një fazë të re të përfshirjes së drejtpërdrejtë amerikane në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Zogaj: Natyrisht, nuk mund të paragjykojmë asgjë pa u zbardhur dokumenti dhe pa u njohur premisat e dialogut
Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.
Ai thotë se roli dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara kanë qenë dhe mbeten vendimtare për çlirimin, mbijetesën dhe ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, ashtu siç e besonte dhe e artikulonte vazhdimisht Ibrahim Rugova.
“Arkitekti i nismës çlirimtare të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ishte besimtar i palëkundur i sloganit: “Qëndro nën hije e mos ki frikë, se i ke djemtë në Amerikë!” Prandaj, në vazhdimësi, ai e ka artikuluar me bindje të plotë se “Zoti në qiell dhe Amerika në tokë” janë mbrojtësit e qenies shqiptare.
Kjo tashmë është e vërtetuar historikisht, sepse çlirimi i Kosovës nuk do të ishte arritur kurrë pa angazhimin konkret dhe ndërhyrjen ushtarake kundër okupatorit serb. Pas çlirimit, ndonëse Bashkimi Evropian është monitoruesi kryesor i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ndikimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet jetik, pasi ato janë garantuesja kryesore që Kosova të ndërtojë lirshëm modelin e vet të shtetësisë, në bashkëveprim me demokracitë simotra të botës.
Pikërisht në kërkim të zgjidhjeve më të mira ndërshtetërore është ndërmarrë iniciativa e dialogut Kosovë–Serbi, e pranuar nga të dyja palët, por e cila deri më tani nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Ngecja e dialogut po e cenon seriozisht sigurinë në rajon dhe, siç po shihet, pritet një ndërmjetësim më serioz nga ana e SHBA-ve”, u shpreh ai.

Skënder Zogaj
Tutje publicisti thekson që angazhimi i drejtpërdrejtë i SHBA-ve në dialogun Kosovë–Serbi shihet si një zhvillim pozitiv që synon ta shtyjë procesin drejt një zgjidhjeje konkrete dhe të afërt, duke ushtruar presion dhe stimul njëkohësisht mbi të dyja palët, pa zvarritje të mëtejshme.
“Sipas paralajmërimeve të Dushan Janjiqit, ekspert i çështjeve të Ballkanit, SHBA-të kanë përgatitur një dokument për dialogun Kosovë–Serbi, i cili pritet të bëhet publik në fillim të muajit prill. Ky është një lajm tepër i mirë, sepse, pa dyshim, do të funksionojë sipas parimit “shkopi pas karrotës” për të dyja palët.
Natyrisht, nuk mund të paragjykojmë asgjë pa u zbardhur dokumenti dhe pa u njohur premisat e dialogut. Megjithatë, është e pritshme që dokumenti të jetë fleksibil dhe i hapur për debat, por jo i tipit “zgjat e mos këput”, sepse koha e parashikuar tashmë ka skaduar dhe nuk ka më hapësirë për hamendësime të pafundme”, shpjegon publicisti.
Nga ana tjetër ai nënvizon që dialogu paraqet rreziqe serioze për Kosovën, e cila hyn në proces nga një pozitë më e pafavorshme se Serbia dhe mund të përballet me kërkesa për kompromise të reja, megjithatë përfshirja amerikane shihet sërish si zhvillim pozitiv dhe shpresëdhënës.
“Dialogu, për pasojë, mbart rreziqe që duhet të parashikohen dhe të llogariten me kujdes, sidomos nga pala kosovare, e cila nuk e gëzon komoditetin e pozitës serbe. Serbia hyn në këtë proces me avantazh, duke synuar të përfitojë sa më shumë, përfshirë edhe pasuritë e Kosovës.
Në anën tjetër, Kosova rrezikohet nga kompromise të reja që mund t’i kërkohen për realizimin e një zgjidhjeje përfundimtare.
Sido që të jetë përmbajtja e tij, dokumenti amerikan mbetet një lajm i mirë”, foli Zogaj për “Bota sot”.
Haziri: Ky dokument do të mund t’i përmbante të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel
Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që publikimi i shpejtë i dokumentit amerikan është i dyshimtë, për shkak të angazhimeve të tjera të SHBA-ve dhe mungesës së gatishmërisë politike si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Po ashtu, ai thekson se Kosova, e përfshirë në krizë institucionale dhe pa institucione të qëndrueshme, nuk është në pozitë të favorshme për t’u përballur me një marrëveshje të tillë me obligime të mëdha.
“Është vështirë për t’u besuar se dokumenti në fjalë, i paralajmëruar edhe nga z. Janjiq, mund të publikohet në periudhën mars–prill për shumë arsye. E para, SHBA-të, siç duket, aktualisht kanë preokupime të tjera, siç janë Grenlanda dhe Gaza.
Pastaj, as Kosova dhe as Serbia nuk janë të gatshme për t’u përballur me një dokument për të cilin flitet se do të jetë marrëveshje me njohje reciproke, ku palët do të kenë edhe obligime të tjera që do të jenë të detyruara t’i zbatojnë. E themi këtë duke u bazuar në situatat politike si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Derisa ne nuk kemi dalë ende nga një krizë politike dhe institucionale edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe zgjatjes së procesit të administrimit të votës për shkak të manipulimeve dhe vjedhjeve industriale që janë bërë gjatë numërimit të votave, kjo po shkakton vonesa në formimin e institucioneve të reja, e sidomos në zgjedhjen e presidentit/presidentes, ku dështimi në këtë proces rrezikon sërish të na çojë në zgjedhje të parakohshme. Pra, Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme dhe legjitime për t’u përballur me një dokument të tillë, në rast se ai vjen”, u shpreh ai.

Nexhat Haziri
Në fund analisti thotë që e paqëndrueshmëria politike në Serbi, me protesta dhe mundësi zgjedhjesh të parakohshme, nuk krijon kushte të favorshme për një marrëveshje të madhe.
Megjithatë, ai vlerëson se një dokument gjithëpërfshirës me njohje reciproke do ta ndryshonte rrënjësisht dialogun Kosovë–Serbi, madje do ta bënte të panevojshëm procesin aktual nën ndërmjetësimin e Brukselit.
“Po ashtu, edhe në Serbi kemi një situatë të paqëndrueshmërisë politike, me protesta që vazhdojnë kundër qeverisë së partisë së presidentit Vuçiq dhe paralajmërimin e këtij të fundit për zgjedhje të parakohshme atje. Pra, nuk shihet se ka një situatë të favorshme për një gjë të tillë.
Natyrisht, nëse veç do të kishte një dokument të tillë, besoj se do ta ndërronte rrjedhën e procesit të dialogut Kosovë–Serbi nën mbikëqyrjen e Brukselit, ndoshta edhe do ta bënte të panevojshëm, pasi ky dokument do të mund t’i përmbante të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, të cilat do të fillonin të zbatoheshin më shpejt në rast se do të kishim një njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.
