Lajme

“Një epokë e re për Kosovën” – Nga SHBA vjen një paralajmërim për seancën e sotme, kërkohet kujdes nga Lista Serbe

Sot ( e mërkurë 11 shkurt) me fillim nga ora 17:00 do të mbahet seanca konsituive e Kuvendit të Kosovës, ku fillimisht do të bëhet verifikimi i kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo ngjarje pritet të jetë një pikë kthese në skenën politike e institucionale të Kosovës, duke qenë se viti i kaluar ishte shoqëruar me një krizë të thellë që si pasojë solli edhe zgjedhjet e parakohshme.

Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Listën Guxo dhe Alternativën dolën fituese të padiskutueshme nga procesi zgjedhor, duke fituar kështu 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Përveç kësaj, ky subjekt synon që t’i marr rreth 66-67 vota për postin e kryetarit të Kuvendit gjë që do të hapte rrugën edhe për formimin e qeverisë së re.

Duke e komentuar këtë situatë, anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Hafiz Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se nga sot për Republikën e Kosovës po nis një epokë e re, duke e cilësuar këtë moment si historik edhe në marrëdhëniet me SHBA–në.

Image
Hafiz Shala

Ai ka vlerësuar rolin e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti në forcimin e sovranitetit, diplomacisë dhe stabilitetit institucional, ndërsa ka theksuar nevojën për mençuri politike ndaj veprimeve destabilizuese të Listës Serbe dhe politikave të Serbisë.

Nga sot për Republikën e Dardanisë po lind një epokë e re.

Kjo rrjedh nga momenti historik i marrëdhënieve aktuale SHBA–Dardani, ku meritë të veçantë kanë udhëheqësit aktualë: Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. Presidentja për politikë të jashtme dhe diplomaci të suksesshme në emër të shtetit, ndërsa Kryeministri për shtrirjen e sovranitetit dhe çlirimin definitiv të veriut”, ka thënë Shala.

Nga ana tjetër, ai ka potencuar se koalicioni me një LDK të ndryshuar në disa aspekte është më i qëndrueshëm për ta pasur një shtet me institucione stabile dhe me një konkurrencë normale brenda politikës.

Sipas tij, Kryeministri Kurti, bashkë me Vjosa Osmanin, mund ta vazhdojnë në mënyrë të suksesshme realizimin e funksionimit të shtetit, që nga çlirimi i veriut nga bandat terroristo-kriminale e deri te anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare, që pritet shumë shpejt të ndodhë, përfshirë NATO-n dhe njohjet e reja që janë në pritje.

“Tani duhet vepruar me mençuri politike rreth sjelljeve të Listës Serbe, e cila, me largimin e saj nga Asociacioni i Komunave dardane, lë të nënkuptohet se jo vetëm që nuk e njohin shtetin në të cilin jetojnë, por edhe e bojkotojnë dhe e provokojnë për ta destabilizuar sipas regjisë së Serbisë, e cila, si kurrë më parë, e ka humbur busullën politike, pasi i ka prishur shumë keq marrëdhëniet me Amerikën dhe madje edhe me Evropën, ndërsa në anën tjetër po i forcon ato me Rusinë dhe Kinën, armiq potencialë të SHBA-ve.

Për hir të shtetit, popullit dhe heronjve e heroinave të UÇK-së, të cilët/at ranë në altarin e lirisë për lirinë dhe pavarësinë, dhe për të gjithë ata që humbën më të dashurit e tyre, si dhe ata që ende po i presin, nga “mëshira” e Serbisë, mbetjet mortore, të cilat për 27 vjet i mban në varreza masive si një lloj shantazhi politik antihuman dhe antinjerëzor”, ka potencuar Shala.

Shala, i cili është publicist dhe autor i pesë librave, ka theksuar se, pavarësisht vështirësive dhe kompleksitetit të situatës, Kosova është më afër se kurrë gjetjes së zgjidhjeve për këto probleme të mëdha.

Ai ka shtuar se kjo nuk është një rrugë e lehtë, sidomos duke pasur përballë një shtet si Serbia, i cili vazhdon të veprojë me politika destruktive, por ka shprehur bindjen se, me këmbëngulje politike, unitet institucional dhe mbështetje ndërkombëtare, këto sfida mund dhe do të tejkalohen.

“Pa kurrfarë humanizmi ndaj qenies njerëzore – njeriut, ama – ata, nga urrejtja, sikur bishat e vetmuara në ndonjë xhungël të pashkelur, nuk ndryshojnë qasjen; prandaj, jo që nuk heqin dorë apo ndryshojnë sjellje duke i përshtatur me shekullin aktual, sepse jetojnë në tokë dhe në Evropë, por as nuk kuptojnë se ku po radhiten. Kjo nuk do të shkojë pa kufi; prandaj, ose me paqe ose me forcë, do të detyrohen të ndryshojnë. Pas gjithë atij gjenocidi barbar e çnjerëzor ndaj shqiptarëve, ende nuk e kanë kuptuar se shqiptari ka vdekur nga dhuna sistematike disa herë në ditë. Vdekja e aty për aty nuk është vdekje e rëndë, sepse as nuk e ndien, por vdekja e disa herë në ditë është e rëndë dhe e padurueshme, me pasoja. Njeriu vdes një herë, por te shqiptari ndodh e kundërta: nga dhuna serbe ka vdekje të disahershme në ditë. Të gjithë nuk mund ta kuptojnë këtë. A ka vdekje më të rëndë se kur, para syve të tu, ta vrasin fëmijën, prindin, vëllanë, motrën?

Ta dhunojnë prindin, fëmijën, motrën para syve të tu? Kjo ishte dhe është vdekja më e rëndë, e cila të lë gjallë fizikisht, por të vdekur për së gjalli, përjetësisht, të cilën do ta dëshiroje më shumë se vdekjen, si “zgjedhje”, për të mos jetuar më me ato vuajtje të pashërueshme, fizike e psikike, me pasoja shumë të rënda në çdo aspekt Dhuna e ushtruar para syve të tu ndaj atyre që i rendita më parë janë vdekje të disahershme të përditshme, e këtë ende nuk e kanë kuptuar të huajt, për çka kemi shpenzuar kohë të gjatë për t’i bindur se shqiptarët vdesin disa herë në ditë”, ka përfunduar ai.

Të Ngjashme