Politik

Një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare: Ekspertët japin alarmin pas sekuestrimit të 156 kg eksploziv në Zubin Potok

 
   

Gjatë javës së kaluar, Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion dhe eksploziv të dyshuar në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë, komuna e Zubin Potokut.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës nuk ka kryer asnjë arrestim në vendin e ngjarjes.

“Më datë 24.01.2026, Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e Veriut, ka pranuar informacione se në një shtëpi të braktisur në fshatin Jagnjenicë, komuna e Zubin Potokut, dyshohej se mund të gjendeshin armë, municion si dhe eksploziv.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacionin e dyshuar, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar:

1 (një) pushkë e tipit M48

244 (dyqind e dyzet e katër) fishekë të kalibrave të ndryshëm

2 (dy) karikatorë të zbrazët si dhe

Një sasi eksplozivi”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërkaq, ajo që dihet është se 156 kg eksploziv është prodhim i kompanisë serbe “Trayal Korporacija A.D.”, e drejtuar nga Millosh Neneziq, i njohur për lidhjet me Partinë Përparimtare Serbe dhe ish-zyrtarë të sigurisë serbe.

Racaj: Një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare

Lidhur me këtë, gjeneral Major, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, Racaj deklaruar se sekuestrimi i 156 kg eksploziv në Jagnjenicë është një kërcënim serioz për sigurinë, jo një rast i izoluar, por pjesë e veprimeve destabilizuese kundër Kosovës.

 Image
 Muhamet Racaj 
 

Ai ka theksuar se origjina serbe e eksplozivit forcon dyshimet për një operacion të organizuar, ndërsa paralajmëroi se ai mund të përdorej për akte terroriste dhe sabotime.

“Sekuestrimi i 156 kilogramëve eksploziv komercial në një lokacion të pabanuar në zonën e Jagnjenicës, në komunën e Zubin Potokut, paraqet një zhvillim serioz dhe jashtëzakonisht shqetësues për sigurinë kombëtare dhe rajonale. Ky nuk është një incident i izoluar, por një tregues i qartë i vazhdimit të aktiviteteve destabilizuese që lidhen drejtpërdrejt me strategjinë e luftës hibride që Serbia po aplikon ndaj Republikës së Kosovës.

Fakti që eksplozivi është prodhim i kompanisë serbe “Trayal Korporacija A.D.”, e njohur për lidhjet e saj me strukturat politike dhe ish-zyrtarë të sigurisë serbe, e forcon dyshimin se kemi të bëjmë me një operacion të organizuar, të planifikuar dhe të mbështetur nga struktura shtetërore ose para-shtetërore. Në këtë kontekst, eksplozivi nuk duhet parë vetëm si mjet teknik, por si instrument politik dhe strategjik për nxitjen e pasigurisë, frikës dhe destabilizimit institucional.

Nga aspekti profesional, bëhet fjalë për eksploziv komercial me përdorim industrial, i cili zakonisht shfrytëzohet në miniera, ndërtimtari dhe punime infrastrukturore. Megjithatë, në duar të grupeve të strukturuara kriminale apo terroriste, ky lloj eksplozivi mund të shndërrohet lehtësisht në mjet për akte terroriste: sabotime infrastrukturore, sulme ndaj objekteve kritike, institucioneve shtetërore, si dhe rrezikim serioz të jetës së qytetarëve dhe të pjesëtarëve të forcave të sigurisë”, ka thënë ai.

Më tej, Racaj ka theksuar se pas shkatërrimit të strukturave ilegale serbe në veriun e Kosovës, Serbia po vepron përmes akteve terroriste dhe operacioneve hibride, gjë që ky rast e konfirmon.

“Edhe në prononcimet e mia të mëhershme për gazetën tuaj kam theksuar vazhdimisht se, pas shkatërrimit të strukturave ilegale dhe kriminale serbe në veri të Kosovës nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës, Serbia ka mbetur me opsione të kufizuara dhe po orienton veprimet e saj drejt akteve terroriste dhe operacioneve hibride, përmes grupeve të specializuara dhe rrjeteve të fshehta. Ky rast e konfirmon në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë paralajmërim profesional.

Prandaj, është jetike që institucionet e sigurisë së Kosovës të vazhdojnë kontrollin rigoroz të territorit, duke përfshirë tunelet e minierave, objektet e braktisura dhe çdo hapësirë që potencialisht mund të shfrytëzohet nga struktura ilegale serbe. Bashkëpunimi i ngushtë dhe operacional me KFOR-in dhe EULEX-in duhet të mbetet prioritet strategjik, me qëllim rritjen e gatishmërisë dhe parandalimin e elementit të befasisë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, rasti duhet trajtuar si kërcënim serioz i sigurisë kombëtare, që kërkon qasje të koordinuar strategjike për mbrojtjen e paqes, sovranitetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Historia e veprimeve të grupeve serbo-ruse në rajon dëshmon se ato shpesh veprojnë në momente simbolike dhe të ndjeshme, siç ishte rasti i festave kombëtare dhe shfrytezojnë elementin befasues. Për këtë arsye, vigjilenca e përhershme, inteligjenca parandaluese dhe reagimi i shpejtë institucional janë faktorë kyç për t’ju kundershtuar elementit befasues,ruajtjen e stabilitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në përfundim, ky rast duhet trajtuar jo vetëm si çështje policore, por si kërcënim serioz i sigurisë kombëtare, që kërkon qasje të koordinuar strategjike, politike dhe ushtarake, në funksion të mbrojtjes së paqes, sovranitetit dhe sigurisë së qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Racaj.

Gecaj: Sekuestrimi i eksplozivit në Zubin Potok është alarm strategjik për sigurinë e Kosovës

Ndërkaq, Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, ka ka deklaruar se sekuestrimi i eksplozivit në Zubin Potok është një incident serioz sigurie, që tejkalon kontrabandën e zakonshme dhe tregon rrezik të lartë destabilizimi.

 Image
 Hysen Gecaj 
 

Sipas tij, origjina e eksplozivit nga një kompani serbe e lidhur me strukturat shtetërore dhe sasia e madhe e tij sugjerojnë përgatitje për sabotim, sulme terroriste ose furnizim të grupeve ilegale, në kuadër të një strategjie hibride kundër Kosovës.

“Sekuestrimi i 156 kilogramëve eksploziv komercial në një zonë të pabanuar në Zubin Potok përbën një incident serioz sigurie, i cili nuk mund të trajtohet si rast i izoluar kriminal apo kontrabandë e zakonshme. Veçanërisht shqetësues është fakti se eksplozivi është prodhim i kompanisë serbe “Trayal Korporacija A.D.”, një kompani me histori të gjatë prodhimi për nevoja ushtarake dhe policore, e lidhur ngushtë me strukturat shtetërore të Serbisë.

Sasia e sekuestruar – 156 kg – është dukshëm përtej nevojave civile (miniera, ndërtim, apo punime infrastrukturore). Kjo tregon se eksplozivi ishte i destinuar për:

• akte sabotimi ndaj infrastrukturës kritike (ura, rrugë, objekte energjetike),

• sulme terroriste ose paramilitare,

• ose për furnizim të strukturave ilegale të armatosura në veri të Kosovës.

Fakti që prodhuesi i eksplozivit është i lidhur me pushtetin aktual në Serbi dhe me ish-zyrtarë të sigurisë, e ngre dyshimin e bazuar se kemi të bëjmë me një operacion të toleruar, nëse jo të mbështetur, nga struktura shtetërore ose para-shtetërore serbe, në kuadër të një strategjie hibride destabilizuese ndaj Kosovës”, ka shpjeguar ai.

Gjithashtu, Gecaj ka theksuar se eksplozivët komercialë të prodhuar nga “Trayal” kanë fuqi të lartë shkatërruese, janë të lehtë për t’u transportuar dhe aktivizuar, dhe mund të përdoren për shkatërrime strukturore apo qëllime ushtarake të improvizuara.

Pa hyrë në detaje teknike konfidenciale, eksplozivët komercialë të prodhuar nga “Trayal” zakonisht janë:

• eksplozivë industrialë me fuqi të lartë shkatërruese (të ngjashëm me TNT ose ANFO të përforcuar),

• të lehtë për t’u transportuar dhe aktivizuar,

• të përshtatshëm për shkatërrime strukturore dhe përdorim ushtarak të improvizuar.

Nëse do të përdorej:

• mund të shkaktonte humbje të mëdha në njerëz, veçanërisht në zona urbane,

• dëme të rënda infrastrukturore me pasoja afatgjata ekonomike dhe sigurie,

• dhe mbi të gjitha, do të kishte efekt psikologjik dhe politik destabilizues, duke rritur tensionet ndëretnike dhe duke sfiduar rendin kushtetues”, ka shtuar ai.

Si përfundim, Gecaj ka vlerësuar se rasti duhet trajtuar si alarm strategjik dhe jo vetëm si sukses policor, duke theksuar nevojën për vigjilencë më të madhe të institucioneve të sigurisë.

“Ky rast duhet parë si alarm strategjik, jo thjesht si sukses policor. Ai përforcon nevojën për:

• vigjilencë të shtuar të institucioneve të sigurisë,

• hetim të thelluar për zinxhirin e furnizimit dhe mbështetjen politike,

• dhe angazhim më serioz të partnerëve ndërkombëtarë për të ndaluar eksportin e destabilitetit nga Serbia drejt Kosovës.

Kosova ka të drejtë dhe obligim të mbrojë rendin e saj kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve të saj nga kërcënime të tilla të organizuara”, ka përfunduar Gecaj.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme