Në tenderin për ndërtimin e seksionit të dytë të autostradës në Mal të Zi janë paraqitur një kompani nga Kina dhe tri konsorciume: dy kineze dhe një turko-azerbajxhanase.
Një nga pjesëmarrësit në tender është China Communications Construction Company (CCCC), e cila është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan REL, transmeton KosovaPress.
Nga Kina janë edhe dy konsorciume të tjera: Shandong Foreign Economic & Technical Cooperation – Shandong Luqiao Group dhe PowerChina-Stecol.
Konsorciumi i tretë është turko-azerbajxhanas, Cengiz–Azvirt, i cili është i pranishëm në rajon prej më shumë se një dekade përmes kompanive amë.
Fillimi i ndërtimit të seksionit të dytë nga Matesheva deri në Andrijevicë, në veri të Malit të Zi, është planifikuar për fundin e vitit, ndërsa punimet është parashikuar se do të përfundojnë pas pesë vjetëve.
Vlera e projektit është 600 milionë euro, prej të cilave 150 milionë euro janë fonde të pakthyeshme nga Komisioni Evropian, 250 milionë nga buxheti i Malit të Zi, ndërsa 200 milionë janë kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me të cilën Qeveria nënshkroi marrëveshje gjatë verës.
China Communications Construction Company – apo CCCC
Kompania shtetërore kineze CCCC është në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2020, për shkak të lidhjeve me ushtrinë kineze.
Kjo kompani dhe degët e saj deri në vitin 2016 ishin në listën e zezë të Bankës Botërore për shkak të praktikave mashtruese dhe dyshimeve për korrupsion në një projekt të rrugëve kombëtare në Filipine.
Ajo ndërtoi portin Hambantota në jug të Shri Lankës, me kredi kineze. Qeveria e Shri Lankës, pasi nuk ishte në gjendje ta shlyente kredinë, ia dorëzoi portin Kinës në menaxhim për 99 vjet në vitin 2017.
Sipas organizatës Just Finance, CCCC ka shkelur disa ligje gjatë ndërtimit të autostradës E-763 në Serbi (në korridorin 11), që lidh Beogradin me Detin Adriatik. Kjo kompani ndërton prej vitesh disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Serbi.
Si pjesë e konsorciumit CRIC&CCCC, ajo mori pjesë në rindërtimin dhe modernizimin e linjës së shpejtë hekurudhore Beograd–Suboticë, në kuadër të së cilës u rindërtua stacioni hekurudhor i Novi Sadit, çatia prej betoni e të cilit u shemb më 1 nëntor 2024, duke shkaktuar vdekjen e 16 njerëzve.
Ajo ndërtoi edhe 31 kilometra të autostradës “Millosh Veliki”, seksionin Prelinë–Pozhegë, punimet e së cilës janë shtyrë disa herë.
Kontrata, në vlerë 450 milionë euro, u mor pa tender, përmes marrëveshjeje direkte me shtetin, ndërsa financimi u sigurua përmes kredisë së Bankës kineze Exim.
Në vitin 2021, CCCC angazhoi si nënkontraktor guroren Slovac, në pronësi të Zvonko Vesellinoviq dhe Millan Radoiçiq, të cilët pak muaj më vonë u futën në listën e sanksioneve të SHBA-së, për lidhje me rrjete korrupsioni dhe krim të organizuar ndërkombëtar.
CCCC-ja është kompania mëmë e China Road and Bridge Corporation (CRBC), e cila ishte kryendërtues i seksionit të parë të autostradës malazeze Bar–Bolare, 41 kilometra të gjatë, që i kushtoi Malit të Zi rreth 900 milionë euro.
Ndërtimi, i shoqëruar nga vonesa të shumta, zgjati shtatë vjet, me mungesë transparence dhe probleme fiskale e mjedisore, për të cilat BE-ja ka paralajmëruar disa herë.
Mali i Zi mori kredi nga Exim Banka kineze për këtë projekt. Për shkak të vështirësive në shlyerjen e borxhit, shteti – me ndërmjetësimin e BE-së – u detyrua të nënshkruajë një marrëveshje me dy banka amerikane dhe dy evropiane për të mbrojtur borxhin publik nga rreziku valutor.
Kredia do të shlyhet deri në vitin 2035.
Konsorciumi Shandong Foreign Economic & Technical Cooperation – Shandong Luqiao Group
Konsorciumi Shandong Foreign Economic & Technical Cooperation dhe Shandong Luqiao Group regjistroi përfaqësinë e tij në Podgoricë në fund të vitit 2022.
Në vitin pasues fitoi kontratën për ndërtimin e rrugës Budvë–aeroporti i Tivatit (16 kilometra), në vlerë 54 milionë euro, me afat ndërtimi dyvjeçar, sipas marrëveshjes së nënshkruar më 29 mars 2023.
Edhe pse afati ka skaduar para më shumë se gjashtë muajsh, punimet ende vazhdojnë.
Që nga korriku 2024, ky konsorcium po kryen edhe punimet e rindërtimit të urës së Gjurgjevica Tarës, në veri të Malit të Zi, projekt dhuratë nga Kina.
Në Serbi, kompania Shandong fitoi në vitin 2021 punimet për rrugën Pozharevac–Golubac pa tender, përmes marrëveshje shtet më shtet, në vlerë 337 milionë euro. Përfundimi i parashikuar për fundin e vitit 2024 është shtyrë për fillimin e vitit 2026.
Ndër nënkontraktorët ishin edhe firmat Inkop (në pronësi të Millan Radoiçiq dhe vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq) dhe Novi Pazar, e cila nga viti 2022 po punon në një projekt tjetër në Serbi me vlerë 158 milionë euro, financuar kryesisht nga kredia e Exim Bankës kineze.
Të gjitha këto kompani janë në listën e sanksioneve të SHBA-së për krim të organizuar dhe korrupsion.
Në Bosnje e Hercegovinë, përfaqësia e Shandong, SDHS-CSI BH, ka nënshkruar marrëveshje koncesioni për ndërtimin e autostradës Banjallukë–Prijedor, 40 kilometra të gjatë dhe me vlerë rreth 300 milionë euro.
Dokumentet e kontratës janë mbajtur të fshehta nga autoritetet e Banjallukës, pavarësisht katër vendimeve gjyqësore që kërkonin publikimin e tyre.
Përfundimi i punimeve, i planifikuar për fundin e vitit 2024, është shtyrë për pranverën e vitit 2026.
Kompania shtetërore kineze PowerChina
PowerChina, kompani shtetërore kineze, ka shtrirë aktivitetin në Ballkan përmes degëve si Sinohydro dhe PowerChina Resources.
Në Bosnje e Hercegovinë, ajo është përfshirë në projektin e parkut të erës Ivovik pranë Livnos, të shoqëruar me ankesa të banorëve dhe mosmarrëveshje për tokën dhe të drejtat e koncesionit.
Në qershor 2019, PowerChina (përmes Sinohydro dhe PowerChina Road Bridge Group) dhe AzVirt nga Azerbajxhani nënshkruan kontratë për ndërtimin e urës Poçitel (vlera 28 milionë euro). Punimet, që duhej të përfundonin në mars 2023, u përmbyllën vetëm në shtator 2024.
Të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në këtë projekt u futën në listën e zezë të Autostradave të Federatës së Bosnjës në maj 2023 për shkelje të kontratës.
Në Serbi, PowerChina merr pjesë në projektin e rrugës rreth Beogradit dhe në ndërtimin e metrosë së Beogradit.
Në dhjetor 2024, nënshkroi kontratë për fazën e parë të Linjës 1 të metrosë, në vlerë 720 milionë euro, detajet e së cilës janë “sekret tregtar”.
Po në vitin 2024, PowerChina përfundoi fazën e parë të parkut më të madh diellor në Serbi, Saraorci, dhe nënshkroi marrëveshje me Fortis Energy të Turqisë për zhvillimin e parqeve të energjisë diellore dhe me erë.
Në Mal të Zi, PowerChina nuk ka kontrata të nënshkruara, megjithëse është takuar me disa zyrtarë të sektorit energjetik.
Konsorciumi Cengiz–Azvirt
Konsorciumi përbëhet nga kompania turke Cengiz dhe ajo azerbajxhanase AzVirt.
Të dyja kanë fituar kontrata të mëdha për ndërtim rrugësh në Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Kroaci dhe Slloveni.
Në krye të konsorciumit është Cengiz Holding, një nga kompanitë private më të mëdha turke, me rreth 44.000 punonjës dhe të ardhura mbi 5 miliardë euro.
Drejtori i saj, Mehmet Cengiz, përmendet në Panama Papers, përmes raportimeve të organizatës OCCRP, për kompani offshore dhe dyshime për korrupsion në projektin e një dige në Azerbajxhan.
Suksesi i Cengiz Holding lidhet me projektet shtetërore në Turqi – hekurudha e shpejtë Stamboll–Ankara, aeroporti i Stambollit – dhe me afërsinë me pushtetin e presidentit Recep Tayyip Erdogan që nga fillimi i viteve 2000.
Në Bosnje, përmes kompanisë si motër, Cengiz ndërtoi seksionin Vlakavo–Tarçin të Korridorit 5C në vitin 2012. Dy vjet më pas, një mur mbajtës 120 metra i gjatë u shemb para hapjes së rrugës.
Më pas kompania ndërtoi edhe segmentet Poprikushe–Nemila, si dhe tunelet Bosna dhe Zenica.
Vlera e projekteve të fituara nga Cengiz në Bosnje tejkalon 1 miliard euro, kryesisht të financuara nga BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve.
Cengiz ka ndërtuar gjithashtu tunelin Karavanke në Slloveni dhe ka kryer rindërtimin e linjës hekurudhore Križevci–Koprivnica në Kroaci.
Në korrik 2025, në Podgoricë, Cengiz Holding themeloi degën Cengiz Insaat, për ndërtim rrugësh.
Pjesëtarja e dytë e konsorciumit, AzVirt, është kompani private azerbajxhanase që ka fituar tenderë në Serbi dhe Bosnje.
Në qershor 2019, AzVirt ishte pjesë e konsorciumit azerbajxhanaso-kinez për ndërtimin e urës Poçitel, dhe më pas u fut në “listën e zezë” për shkelje të kontratës.
Në maj 2019, AzVirt dhe Hering nga Shiroki Brijeg nënshkruan kontratë për ndërtimin e segmentit Vranduk–Ponirak, me vlerë 76 milionë euro. Projekti u pezullua në korrik 2023 pasi fondet u shpenzuan dhe afatet skaduan.
Pronësia e AzVirt është e ndarë kështu: Elnur Alijev (25%), Falcom Holding (Luksemburg) (25%), Martin Beteiligungs (Gjermani) (30%) dhe Walz (20%).
Në Podgoricë, AzVirt operon që nga viti 2012, me vetëm një të punësuar dhe pa të ardhura të rëndësishme. Në vitin 2024, kompania raportoi humbje prej rreth 20 mijë eurosh.

