Lifestyle

“Një mollë në ditë mban mjekun larg”! Sa mbështetje shkencore ka kjo shprehje

Shprehja e njohur “një mollë në ditë e mban mjekun larg” është ndër këshillat më të përhapura ushqimore në botë. Origjina e saj gjendet në një proverbë uellsiane të vitit 1866, e cila thoshte: “Ha një mollë para se të flesh dhe do t’ia heqësh mjekut bukën nga goja”. Por studimet shkencore kanë kërkuar të zbulojnë nëse kjo thënie ka vërtet bazë reale për shëndetin.

Sot në botë prodhohen rreth 100 milionë tonë mollë çdo vit dhe ky frut është lidhur prej kohësh me përfitime shëndetësore. Studiuesit theksojnë se mollët përmbajnë përbërës të rëndësishëm si flavonoidet dhe polifenolët, të cilët lidhen me mbajtjen e një peshe të shëndetshme dhe me uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës. Ato janë gjithashtu burim i mirë fibrash, veçanërisht pektinës, që ndihmon në uljen e kolesterolit LDL dhe stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak.

Disa studime kanë gjetur lidhje të rëndësishme mes konsumit të mollëve dhe uljes së rrezikut për sëmundje kronike. Një analizë e vitit 2017 tregoi se konsumimi i mollëve lidhej me rreth 18% më pak rrezik për zhvillimin e diabetit të tipit 2. Ndërkohë, një tjetër analizë në vitin 2022 tregoi se konsumimi i rregullt i mollëve ose produkteve të tyre mund të ndihmojë në uljen e kolesterolit.

Megjithatë, një studim i vitit 2015 me rreth 9 mijë persona tregoi se edhe pse njerëzit që hanë mollë janë përgjithësisht më të shëndetshëm, lidhja me më pak vizita te mjeku nuk ishte statistikisht e rëndësishme kur u morën parasysh faktorë të tjerë si arsimi dhe duhani. Megjithatë, u vu re se ata që konsumonin mollë çdo ditë kishin më pak gjasa të përdornin barna me recetë.

Ekspertët theksojnë se mollët kanë përfitime të shumta, sidomos kur konsumohen me lëkurë, ku gjendet pjesa më e madhe e përbërësve antioksidues. Megjithatë, ato nuk mund të zëvendësojnë një stil të shëndetshëm jetese. Përfitimi i vërtetë për shëndetin vjen nga një dietë e balancuar dhe e pasur me fruta dhe perime, ku mollët mund të jenë një pjesë e rëndësishme e saj.

/vizionplus.tv

Të Ngjashme