Lajme

Një muaj paraburgim për katër serbë të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë të pandehurve të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Sipas njoftimit zyrtar, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për katër të pandehurit me inicialet G.T., R.K., S.T. dhe P.T., duke u caktuar atyre masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin.

Ndërkaq, kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit N.T. është refuzuar, pasi gjykata ka vlerësuar se nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Të pandehurit ngarkohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ-së, si dhe neneve 31 dhe 153 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me nenet 3 dhe 4 të Konventave të Gjenevës dhe dispozitat përkatëse të Protokolleve Shtesë.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masë adekuate, duke theksuar se ekziston rreziku i arratisjes, pasi të pandehurit posedojnë edhe pasaporta të Republikës së Serbisë dhe mund të largohen nga Kosova.

Po ashtu, sipas gjykatës, ekziston rreziku që ata të ndikojnë te dëshmitarët dhe të dëmtuarit nëse lihen në liri.

Gjykata ka arsyetuar se paraburgimi, në këtë fazë të procedurës, është masa e vetme që garanton zhvillimin e papenguar të procesit penal.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykata e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të Ngjashme