Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit Z.S., i dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ka argumentuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën sipas dispozitave përkatëse të ish Ligjit Penal të RSFJ-së.
“Pas seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se paraburgimi është masë e nevojshme, duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, pasi i pandehuri posedon edhe shtetësinë e Serbisë, si dhe mundësinë e ndikimit në prova apo pengimit të procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Sipas vendimit, paraburgimi konsiderohet masa e vetme adekuate për të siguruar zhvillimin e papenguar të procesit gjyqësor.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykata e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
