
Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka reaguar për ndërhyrjen e Serbisë në Universitetin e Novi Pazarit dhe përpjekjet për të shtypur protestat e studentëve boshnjakë që kërkojnë barazi dhe sundim të ligjit.
Kamberi përmes një postimi në Facebook ka vlerësuar se zgjedhja e Novi Pazarit dhe universitetit aty është pjesë e një taktike të vjetër për të nxitur konflikt mes pakicave dhe për t’i paraqitur ato si faktorë destabilizues.
Postimi i plotë:
Ndërhyrja e shtetit me paraformacione në Universitetin e Novi Pazarit sot, si dhe përpjekja për të shuar betejën e studentëve boshnjakë për barazi dhe shtet të së drejtës, flet qartë për gatishmërinë e këtij regjimi për të heshtur zërin kritik dhe për të vrarë energjinë studentore, e cila prej muajsh po përpiqet ta çkapë shtetin nga struktura autokratike.
Pse pikërisht Novi Pazari dhe pse pikërisht ky universitet?
E qartë:
Nxitja e konfliktit në zona të banuara me qytetarë nga radhët e pakicave – për t’i paraqitur pakicat si element destabilizues e antishtetërorë.
Një taktikë e vjetër nga repertoari i të ’90-ve.