Partitë kryesore politike në Kosovë ende nuk kanë bërë ndonjë lëvizje drejt arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pavarësisht se ka një javë që po rrjedh afati rreth njëmujor i vendosur nga gjykata më e lartë e vendit për këtë çështje.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
E gjatë ditës së enjte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kuvendit të Kosovës, ku ka folur për zhvillimet politike dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Gjithashtu, deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka thënë se gjatë javës së ardhshme pritet të ketë takime mes liderëve të subjekteve politike për cështjen e presidentit.
“Ka qenë ditë konstruktive dhe frytshme sot. Veprimet që kanë qenë në Kuvend kanë qenë të natyrës që kanë ndikim pozitiv diku më shumë, diku më pak te qytetarë t e Kosovës. Nuk ishte tema e presidentit sot, kohë kemi. Gjatë javës së ardhshme do të ketë edhe takime të liderëve besoj dhe do të shikohet ma konkretisht si janë gjërat. Normalisht edhe ky moment, si i sotmi, mundëson me pa disponimin e partive, sikurse që ishte i LDK-së që të jetë pjesë e konstruktivitetit në Kuvend…”, ka thënë Kraki.
Ai ka thënë se janë të interesuar që të gjejnë marrëveshje për presidentin dhe se nuk janë të interesuar të shkohet në zgjedhje.
Ndër të tjera, gjatë mbrëmjes së premte është konfirmuar për media që kryeministri Kurti në fillim të javës do të ketë takime me liderë të partive politike për të dalur me një zgjidhje.
Aliçkaj: Zgjedhja e presidentit/es është obligim dhe detyrë e të gjithëve
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari Agim Aliçkaj.
Ai thotë se problemet politike në Kosovë vijnë nga Kushtetuta dhe Plani i Ahtisaarit, të cilat sipas tij kanë krijuar paqartësi dhe i kanë dhënë shumë fuqi minoritetit serb, duke penguar zhvillimin e shtetit.

Agim Aliçkaj
Gjithashtu kritikon edhe zgjedhjen e presidentit nga parlamenti dhe rregullat për ndryshimin e Kushtetutës, duke kërkuar që këto të përmirësohen në të ardhmen.
“Situata e pavolitshme dhe e rrezikshme për shtetin e Kosovës, e krijuar me rastin e zgjedhjes së Presidentit/es, e ka zanafillën te Plani i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e aprovuar në bazë të këtij plani.
Kundërthëniet, hapësirat për interpretime të ndryshme dhe dhënia e fuqisë së tepruar minoritetit serb janë pengesa të mëdha për zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit.
Zgjedhja e presidentit nga ana e parlamentit, përmes pazareve ndërmjet partive politike dhe jo përmes referendumit, është gabim. Hartuesit e Kushtetutës kanë llogaritur në deputetë normalë e konstruktivë, jo në halabakë politikë të papërgjegjshëm.
Kushti që ndryshimi i Kushtetutës për çështje madhore nuk mund të bëhet pa 2/3 e votave të minoriteteve është gabim katastrofal. Hartuesit nuk e kanë kuptuar se kanë të bëjnë me minoritetin serb të dirigjuar nga regjimi kriminal i Beogradit, i përkushtuar për shkatërrimin e shtetit të Kosovës.
Duhet të gjendet mënyra që në të ardhmen këto gabime të përmirësohen dhe pengesat ligjore antishtetërore të eliminohen. Për këtë, më e vështira është të bindet faktori ndërkombëtar, por me fakte dhe argumente kjo mund të arrihet”, tha ai.
Veprimtari shton tutje se, është pak e mundur që të arrihet marrëveshje për presidentin, sepse opozita nuk po e pranon humbjen dhe po vepron në mënyrë që dëmton shtetin. Ai thekson se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit është e të gjitha partive dhe se bojkotet apo veprimet e tilla ndëshkohen nga populli.
Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte një president konsensual, por kjo është e vështirë për shkak të interesave partiake dhe mungesës së qasjes së sinqertë nga politikanët.
“Gjatë javës së ardhshme priten bisedime të kryeministrit Kurti me liderët e opozitës për zgjedhjen e presidentit. Të gjitha indikacionet tregojnë se gjasat për arritjen e një kompromisi janë shumë të vogla, për shumë arsye.
Problem kryesor paraqet opozita. Ata ende nuk dëshirojnë të pranojnë se i kanë humbur zgjedhjet edhe kësaj radhe me shumicë absolute. Krerët e opozitës dhe rrethi i tyre i ngushtë kanë hyrë në një labirint nga i cili nuk po gjejnë rrugëdalje. Nuk e kanë të qartë se bojkoti dhe veprimet e tjera antishtetërore i kanë sjellë në këtë gjendje dhe se këto duhet të ndryshohen.
Përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit u takon të gjitha partive pa dallim, jo vetëm partive fituese. Largimi nga vendi i punës gjatë votimit të presidentit është veprim i dëmshëm që dënohet nga vota e popullit. Populli nuk ta jep pushtetin nëse sheh se nga opozita po e sulmon dhe dobëson shtetin për interesa partiake.
Natyrisht, zgjidhja më e mirë do të ishte gjetja e një presidenti konsensual unifikues, por kjo vështirë se mund të arrihet për shkak të qëndrimeve ekstreme të partive. Kjo kërkon një qasje normale dhe të sinqertë, ku interesi shtetëror dhe kombëtar vihet para atij partiak dhe personal—gjë që politikanët e sotëm nuk po e bëjnë dot”, shpjegon veprimtari.
Ndër tjera m, Aliçkaj thotë se as Albin Kurti nuk do të pranojë kandidat të opozitës, por as opozita nuk do të votojë një kandidat të LVV-së, prandaj kompromisi është i vështirë. Ai sugjeron se një marrëveshje mund të arrihet me ndonjë parti si Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një kandidati të pranueshëm dhe marrëveshjeve politike.
Sipas tij, një mundësi mund të jetë edhe Vjosa Osmani nëse tejkalohen mosmarrëveshjet, ndërsa paralajmëron se partitë që bllokojnë procesin dhe çojnë vendin në zgjedhje të panevojshme do të ndëshkohen nga votuesit.
“Në vazhdim, nuk mund të pritet që opozita të votojë një kandidat partiak të LVV-së, por as opozita nuk duhet të mendojë se kryeministri Kurti, me 51% të votave popullore, do të pranojë një kandidat të opozitës që do të ishte kundërshtar i qeverisë së tij—edhe nëse kjo do të çonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat nuk i konvenojnë askujt.
Ka më shumë gjasa që Kurti të arrijë marrëveshje me ndonjërën nga partitë e mëdha, më parë me LDK-në, për sigurimin e kuorumit në raundin e tretë, me një kandidat të përshtatshëm dhe me dhënien e ndonjë pozite në qeverisje, në përputhje me përqindjen e votave të fituara në zgjedhjet e fundit.
Kandidat mund të gjenden mjaft, sidomos në bashkëpunim me LDK-në dhe deputetë të tjerë individualë. Një ndër ta mund të ishte edhe Presidentja e deritashme, Vjosa Osmani, nëse ekziston mundësia që mospajtimet e fundit mes saj dhe Kurtit të tejkalohen. Ndoshta partitë opozitare e kanë kuptuar se ajo nuk ishte vetëm një notere e kryeministrit.
Një gjë duhet ta dinë të gjithë me siguri: Ata liderë dhe parti politike që populli i konsideron fajtorë për bojkotimin e zgjedhjes së presidentit/es dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme të panevojshme do të ndëshkohen pa mëshirë me votë. Populli i Kosovës nuk mund të mashtrohet”, foli veprimtari Aliçkaj për “Bota sot”.
Qarri: Kryeministri Kurti ka bërë mirë që i fton partitë opozitare për bashkëpunim
Ndërsa, analisti politik Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se Kosova është dëmtuar nga krizat politike dhe veprimet e kontestuara, përfshirë edhe ato të Vjosa Osmani, prandaj partitë duhet të bien dakord për zgjedhjen e presidentit dhe të mendojnë për zgjedhje direkte nga populli.

Gani Qarri
Kjo, sipas tij, do të shmangte bllokadat dhe zgjedhjet e shpeshta që e dëmtojnë vendin.
“Kosova ka humbur mjaft shumë nga ngërçet politike, njëherë me bllokadën institucionale gati njëvjeçare dhe aktualisht me “dekretin” kundërkushtetues të Vjosa Osmanit, ndaj duke qenë se ish presidentes, tashmë i kaloi edhe mandati, të cilin nuk e mbylli, fort me lavdi, është koha që partitë politike përfundimisht të akordohen për dy gjëra parësore dhe me rëndësi jetike për politikën e vendit.
E para të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, si dhe të votojnë me aklamacion në Kuvend amendamentin për zgjedhjen e presidentit/es me votën e qytetarëve, siç veprojnë shumë shtete me traditë të gjatë të demokracisë, për tu ikur komplikimeve dhe përsëritjes së mosmarrëveshjeve ndërpartiake, të cilat siç e kemi parë vitin e kaluar, prodhojnë vetëm ngërçe e bllokada dhe rrezikojnë stagnimin e vendit, për shkak të mungesës së institucioneve të shtetit.
Marrëveshja ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit të ri, do të ishte sihariqi më i mirë për shtetin dhe popullin e Kosovës, që si vend, të mos detyrohemi brenda një viti e gjysmë, të shkojnë për të pestën herë në zgjedhje (siç ndodhi vitin e kaluar me zgjedhje lokale dhe ato parlamentare) që do të kushtonte shumë dhe do të ishte mjaft e mundimshme për të gjithë”, tha ai.
Duke vazhduar, analisti shtoi se, ftesa e Albin Kurti për bashkëpunim është e nevojshme për të shmangur krizat dhe zgjedhjet e reja, ndërsa pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani, rolin e presidentes përkohësisht e merr Albulena Haxhiu, deri sa partitë të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit kushtetues.
“Prandaj kryeministri Kurti, ka bërë mirë që i fton partitë opozitare për bashkëpunim, paraqitjen e qëndrimit të tyre dhe gjetjen e konsensusit të përbashkët për zgjedhjen e presidentit të ri, ngase vendi, sapo ka dalë nga zgjedhjet e katërta brenda një viti dhe nuk e ka luksin, për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme as për përsëritjen e ngërçeve dhe bllokadave të reja politike, të cilat patën bllokuar edhe buxhetin e shtetit dhe marrëveshjet më të rëndësishme ndërkombëtare për Kosovën.
Në anën tjetër, pasi që mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi më 4 prill, nga 4 prilli postin e presidentit/es do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kurse ligjvënësit kanë kohë deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin e ri, edhe nëse kjo nuk arrihet, zonja Haxhiu, ushtrimin e detyrës së presidentit/es, nuk mund ta vazhdojë për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj, e krejt çfarë mund të bëjë ajo, është fakti se si ushtruese e detyrës së presidentit/es, ka favorin ta caktojë datën e zgjedhjeve të reja, në rast se vërtetë, nuk gjendet kompromisi ndërmjet partive politike, për ta zgjedhur në mënyrë konsensuale presidentin e ri, brenda afatit të paraparë kushtetues”, shpjegoi analisti.
Në fund, analisti nënvizon deklaratën duke thënë që LVV nuk ka votat e mjaftueshme, prandaj partitë duhet të bashkëpunojnë dhe të vendosin interesin e shtetit mbi atë partiak për të zgjedhur presidentin dhe shmangur zgjedhje të panevojshme.
“Duke qenë se LVV nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin e shtetit, ngase gjatë procesit të votimit nevojiten të jenë, të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e tyre të votojnë- në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë, megjithëse presidenti mund të zgjidhet edhe me votat e 61 deputetëve, serish kusht mbetet kuorumi në Kuvend, në takimet që do të mbahen gjatë javës së ardhshme, udhëheqësit e të gjitha partive pjesëmarrëse, duhet të reflektojnë seriozisht dhe interesat e shtetit ti vendosin para interesave individuale e grupore, në mënyrë që Kosova të mos futet edhe në një krizë të panevojshme dhe vendi të detyrohet të shkojë serish në zgjedhje të reja, prandaj në takim duhet të gjendet kompromis konkret për zgjedhjen e presidentit e të mos krijohet avari e njëjtë apo e ngjashme si vitin e kaluar dhe vendi të detyrohet të vendnumëroj, duke përsëritur zgjedhjet dhe shkuar nga zgjedhjet në zgjedhje, kur dihet mirëfilli nga të gjithë se edhe zgjedhjet e reja mund të prodhojnë të njëjtin rezultat dhe gjendje të ngjashme plebishitare”, përfundoi analisti Qarri për “Bota sot”.
