Lajme

“Nuk e ka thënë gjykata për shkak të frikës”, Hasani tregon pse Kushtetuesja nuk e shpalli antikushtetues dekretin e presidentes

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka vlerësuar si profesional aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, ai është habitur pse gjykata nuk e ka vlerësuar si antik-kushtetues dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Në një intervistë për KosovaPress, Hasani ka thënë se gjykata duket se është frikësuar.

“Arsyetimi është korrekt dhe tregon qartë se, në një sistem parlamentar, shefi i shtetit (presidenti apo monarku) nuk mund ta shpërndajë parlamentin në mënyrë autonome dhe jashtë autorizimit të shprehur kushtetues. Për këtë arsye, në dispozitiv, Gjykata ka theksuar se dekreti i Presidentes së Republikës për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik. Kur një akt juridik nuk prodhon asnjë efekt juridik, atëherë kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute të aktit. Ky është një emërtim tjetër për të thënë se dekreti ka qenë tërësisht kundërkushtetues. Këtë nuk e ka thënë Gjykata për shkak të frikës dhe presionit që ka pasur vitin e kaluar dhe në raste të tjera”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, shpallja e pavlefshmërisë së dekretit është shkalla më e lartë e kundër kushtetutshmërisë.

“Siç e thashë, bëhet fjalë për përshkrimin e një akti juridik si tërësisht kundërkushtues, meqë nuk ka prodhuar asnjë pasojë juridike. Pra, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është tërësisht i pavlefshëm, sikur të mos kishte ekzistuar fare. Kjo është shkalla më e lartë e kundërkushtetutshmërisë dhe përfshin nenet e Kushtetutës të përmendura në paragrafin 4 të aktgjykimit që flet për objektin e çështjes”, ka vlerësuar ai.

Të Ngjashme