Lajme

Nuk e paguan anëtarësinë, këta janë avokatët që u është marrë licenca

Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se disa avokatë kanë humbur të drejtën për ushtrimin e profesionit për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve statutare, përfshirë pagesën e anëtarësisë.

Sipas njoftimit zyrtar, nga Regjistri i Avokatëve janë shlyer: Beqir Haxhimusa, Driton Dobruna, Ilmi Qorri, Lavdrim Xheladini, Nasuf Hasani, Selim Selimi dhe Xhemajli Brovina.

Nga Oda theksohet se këto nuk janë vendime diskrecionale, por pasoja ligjore që rrjedhin drejtpërdrejt nga mosrespektimi i obligimeve statutare, duke garantuar barazi dhe rend profesional.

Njoftimi i plotë:

Me qëllim të transparencës, llogaridhënies dhe ruajtjes së integritetit të profesionit, Oda e Avokatëve të Kosovës e konsideron detyrim institucional të informojë anëtarësinë dhe publikun lidhur me veprimet e fundit që ndërlidhen me ushtrimin e profesionit të avokatit.

Siç tashmë mund të jeni në dijeni nga mediat dhe institucionet përkatëse, në zbatim të nenit 61 të Statutit të Odës së Avokatëve të Kosovës, për shkak të mos përmbushjes së detyrimeve statutare, kanë humbur të drejtën për ushtrimin e profesionit dhe janë shlyer nga Regjistri i Avokatëve:

Beqir Haxhimusa, Driton Dobruna, Ilmi Qorri, Lavdrim Xheladini, Nasuf Hasani, Selim Selimi dhe Xhemajli Brovina.

Këto nuk janë vendime të natyrës diskrecionale, por pasoja juridike që burojnë drejtpërdrejt nga ligji dhe aktet normative në fuqi.

Siç është në dijeni çdo avokat, madje edhe çdo praktikant, mos përmbushja e detyrimeve statutare prodhon efekt juridik të menjëhershëm dhe të pashmangshëm – ipso jure – në funksion të barazisë para rregullit, sigurisë juridike dhe ruajtjes së rendit profesional.

Lidhur me audioincizimin e publikuar në media, në të cilin ish-avokati Nasuf Hasani përdor gjuhë të rëndë, fyese dhe denigruese ndaj stafit të Odës, sigurojmë anëtarësinë dhe publikun se para ndërprerjes së statusit të tij si avokat ka qenë në zhvillim procedurë disiplinore për shkelje veçanërisht të rëndë. Për këtë çështje do të vendosin organet kompetente të Odës, në përputhje me ligjin dhe rregullat në fuqi.

Sidoqoftë, përmbajtja e kësaj gjuhe, e cila me të drejtë ka shqetësuar dhe ka tronditur secilin që e ka dëgjuar, është thellësisht e papranueshme dhe jashtë çdo standardi profesional e etik që përfaqëson ky profesion.

Sjellje të tilla nuk mund të relativizohen, nuk mund të arsyetohen dhe nuk do të tolerohen nga askush dhe në asnjë rrethanë.

Oda e Avokatëve të Kosovës do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e saj me përgjegjësi të plotë institucionale, duke garantuar barazi ndërmjet anëtarëve, duke mbrojtur pa kompromis dinjitetin e profesionit dhe duke zbatuar me përpikëri aktet normative në fuqi.

Integriteti nuk negociohet, ai mbrohet, ose humbet.

Të Ngjashme