Lajme

“Nuk është gabim!” / Enver Bytyçi shpërthen: Çfarë fshihet pas hartës së Edi Ramës?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka rishikuar një postim të tij në rrjetet sociale në lidhje me Raportin e Transformimit BTI 2026 për Evropën Juglindore, pas reagimeve të shumta mbi mënyrën se si ishte ilustruar Kosova në hartën shoqëruese.

Në publikimin fillestar, Kosova ishte paraqitur me vijëzim të ndërprerë — një konvencion grafik që në hartografi përdoret zakonisht për të treguar territore me status të paqartë ose të kontestuar. Kjo formë paraqitjeje ngjalli kritika nga përdorues të rrjeteve sociale, të cilët kërkuan sqarime për simbolikën dhe mesazhin që përcillte kjo zgjedhje vizuale.

Profesori Enver Bytyçi, akuzon Edi Rama se përmes publikimit të hartës me kufij të ndërprerë, po e paraqet Kosovën si territor të kontestuar dhe po dërgon mesazh se kufijtë me Serbinë nuk janë përfundimtarë.

Sipas tij, kjo i shkon në favor Aleksandar Vuçiç dhe ideve për ndryshim kufijsh.

Image
Prof.Dr. Enver Bytyçi

“Është hera e dytë që kryeministri i Shqipërisë e provokon Kosovën me publikimin e hartës së saj si territor i kontestuar në kufijtë me Serbinë. Kjo pati ndodhur para disa viteve. Ndodhi atëherë pas një harte të Kosovës si pjesë e Serbisë, të cilën e pamë në sfond të fotografisë së Milorad Lajçak. Të njëjtin provokim atëherë bëri edhe Edi Rama në Tiranë.

Ndërsa harta e tanishme e kryeministrit Rama vjen jo rastësisht. Ajo është vizatuar me kufij me viza të ndërprera gjatë gjithë kufirit me Serbinë. Ndërsa me shtetet e tjera kufitare kufiri shfaqet me vijë të pandërprerë. Mesazhi është i qartë: – Ju në Kosovë nuk keni kufij definitivë me Serbinë! Prandaj dhe do t’u duhet që këta kufij t’i korrigjoni, t’i ndryshoni dhe Koosovën ta zvogloni. Mesazh që i jep garanci Aleksandër Vuçiq, se kryeministri Rama i qëndron besnik atij në projektin e ndarjes së Kosovës”, thotë ai.

Sipas Bytyçit, ndryshimi i hartës nga Edi Rama nuk është gabim i rastësishëm, por veprim i përsëritur me qëllim.

Ai e cilëson si mesazh politik në favor të Serbisë, duke pretenduar se inkurajon Aleksandar Vuçiçin dhe projektet e tij ndaj Kosovës.

“Dikush do të thotë se “Rama e ndryshoi hartën”! E korrigjoi gabimin! Dhe siç jemi mësuar në këto raste asnjëherë nuk bëjmë pyetjen pse e bëri gabimin. Madje në mënyrë të përsëritur. Herën e parë ishte një hartë shkolle në Shqipëri. Tani është një hartë Rame, kryeministër. Përgjigja e pyetjes PSE, na shpjegon thelbin e fenomenit. Nuk e shpjegon përmbajtjen e asaj që ndodh fakti që dikush përshkruan ngjarjen. Propagandistët patronazhistë që mbrojnë Edi Ramën asnjëherë nuk bëjnë analizën e pse-së. Thjesht na servirin atë që ndodh. Ndodhi që Ramën e paraqesin një herë hero e njëqind herë tradhtar të kombit. Me bishtin e deles justifikojnë bishtin e dhisë. Në fakt Rama është gjithmonë bisht dhie. Sidomos në raportet e tij me Kosovën.

Harta e fundit nuk është thjesht provokim. Eshtë mesazh sidomos për Serbinë. Eshtë inkurajim që i jepet Beogradit që ta vazhdojë luftën kundër Kosovës, sepse sipas Edi Ramës, Serbia i ka shanset ta realizojë projektin e saj për Kosovën. Eshtë shërbim që i bëhet armikut më të egër të Kosovës e të shqiptarëve në kohën që ky armik i betuar gjendet në ditët më të v[shtira të tij! Ndaj dhe kushdo që e trajton këtë ngjarje si lapsus apo si pakujdesi është idiot, injorant dhe i shërben të keqes që i kanoset fateve të Kosovës dhe të shqiptarëve!” – përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme