Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nuk ka thyerje mes qeverisë amerikane dhe të Kosovës

 
   

Profesor, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se Kosova këto ditë ka shënuar dy arritje.

Suksesi i Kosovës i publikuar nga organizata “Gallup” dhe vizitat e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti në SHBA, sipas Bytyçit, janë arritje.

“Dy arritje të Kosovës u shënuan këto ditë. Fakti që Kosova renditet sipas Gallup e para në Europë dhe e treta në botë sa i përket respektimit të rendit, pra për siguri e rend dhe vizitat që përmendni ju të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti në SHBA, në kuadër të Mbledhjes së Aamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në rastin e klasifikimit të Kosovës si vendi më i sigurt në Europë, medie të shumta në Kosovë heshtën, ndërkohë që I jepnin jehonë takimeve dhe fjalimeve të Aleksandër Vuçiq në OKB. Qëllimi është që të trembin qytetarët e Kosovës dhe të pranojnë çdo zgjidhje, sepse “Serbia dhe Vuçiq janë të fuqishëm dhe të vendosur për të mos e lëshuar Kosovën”! Narrativa e lansimit të lajmeve për Serbinë dhe heshtja e lajmeve positive për Kosovën është një aggression hybrid I disa medieve në Kosovë, të cilin e sponsorizon Serbia”, deklaron Bytyçi.

Sipas tij, prania e dy liderëve kryesorë të Kosovës në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë arritje e jashtëzakonshme.

Ai përmend edhe planet e këtyre arritjeve.

“Prania e dy liderëve kryesorë të Kosovës në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një arritje e jashtëzakonshme në disa plane: Së pari, sidomos shkuarja e zotit Kurti në New York është mesazh se midis qeverisë së Kosovës dhe qeverisë amerikane nuk ka një thyerje aq të madhe sa e paraqesin këto medie, opozita dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq. Nëse ka mospajtime midis Kurtit dhe disa diplomatëve amerikanë, që duan sukses në karrierën e tyre, kjo nuk do të thotë se SHBA-të kalojnë në veprime ekstreme. Mediet e Kosovës, në Shqipëri dhe në Serbi u mbushën me lajme dhe shkrime për atë që quhet “Pezullim i procesit të nisjes së dialogut strategjik me Kosovën”, nga ana e ambasadës amerikane në Prishtinë. Në fakt dialogu strategjik i SHBA-ve me Kosovën ka nisur para lufte dhe ka përfunduar në mos me 12 qershor 1999, me siguri më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e vendit. Ne e dimë. Përmes këtij dialogu NATO sulmoi potencialet serbe të ushtrisë dhe policisë dhe e çliroi Kosovën. Përmes këtij dialogu me Kosovën dhe partnerët ndërkombëtarë, George W. Bush shpalli pavarësinë e Kosovës në qershor 2007 gjatë vizitës së tij në Tiranë”, shprehet profesori.

Nuk ka thyerje të marrëdhënieve Kosovë- SHBA, thotë Bytyçi, gjersa shton se raportimet që Kurti nuk mund të shkojë në SHBA është narrativë e rekomanduar nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.

“Shkuarja e presidentes dhe kryeministrit në Neë York është rezultat i atij dialogu strategjik. Për pasojë nuk ka thyerje në marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Këtë e dëshmoi edhe fakti se presidentja u takua deri me sekretarin e Shtetit Amerikan, Marko Rubio. Të premten presidenti Trump do të shtrojë darkën tradicionale për liderët pjesëmarrës në Asamble. Presidentja me siguri që do jetë pjesëmarrëse në këtë darkë. Ndoshta edhe kryeministri, megjithëse kjo do të ishte përjashtim i rregullit. Por takimet e shumta me kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues të departamentit të Shtetit, me liderë të vendeve të tjera e kështu me radhë janë një sukses i jashtëzakonshme. Për mendimin tim Asambleja e Përgjithshme duhet shfrytëzuar që në New York të jenë shumë më tepër përfaqësues të shtetit të Kosovës. E dimë se aty është edhe zonja Gërvalla. Por ndoshta do të duhej të ishin edhe të tjerë, deputetë, sidomos ata që kanë lidhje me diplomacinë dhe kanë kredite te partnerët ndërkombëtarë.

Kam dëgjuar gazetarë të medieve tona që thonin se “Albini nuk mund të shkojë në SHBA”! Jam shumë i sigurt se kjo narrativë është rekomanduar nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës. Pra nuk ka të bëjë thjesht me kryeministrin Kurti. Është narrativë e Marko Gjuriq dhe Aleksandër Vuçiq. Shkuarja e tij në OKB e përgënjeshtroi dhe e zbehu entuziazmin e “armiqve” të Kosovës. Albin Kurti nuk është Albini, por është kryeministri i Kosovës dhe në këtë aspekt duhet që edhe opozitarët t’i gëzohen faktit që ai luan një rol të caktuar në kontaktet ndërkombëtare edhe në kuadër të margjinave të OKB-së. Kësisoj mund të themi se pjesëmarrja e tij dhe e zonjës Osmani në këto evente është në funksion të rritjes së autoritetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe një sfidë që i bëhet pretendimeve të presidentit serb, sipas të cilit “Kosova është pjesë e Serbisë”!”, pohon Bytyçi.

Shkuarja në pallatin e qelqtë të OKB-së, është shprehje e faktit se Kosova nuk është e izoluar dhe nuk mund të izolohet, thotë Bytyçi.

Sipas tij, ndërkombëtarët bartin një frikë të tepruar lidhur me raportet Kosovë- Serbi.

“Shkuarja e tre politikanëve më të lartë në pallatin e qelqtë të OKB-së është shprehje e faktit se Kosova nuk është e izoluar dhe nuk mund të izolohet. Pse ndodh kjo? Në filozofi thuhet se praktika është kriteri i së vërtetës. E vërteta e grindjeve të Kurtit me përfaqësues të Bashkësisë ndërkombëtare për masat në veri të vendit provon se ai kishte të drejtë. Ndërkombëtarët bartin një frikë të tepruar lidhur me raportet Kosovë-Serbi, sepse u besojnë deklarimeve të ekstremistëve serbë në Beograd dhe kanë frikë se ata po destabilizojnë rajonin. Por masat që mori kryeministri dhe qeveria e Kosovës rezultuan me sukses. Sukses i jashtëzakonshëm ishte Banjska. Asgjë nuk ndodhi pse u ndalua dinari serb. Pse u mbyllën postat dhe kompanitë serbe në veri. Nuk ndodhi asgjë edhe pse u asgjësuan disa herë radhazi arsenale armësh të panumërta, të destinuara për luftë në Kosovë. Nuk i ka bërë këto bashkësia ndërkombëtare, por i ka bërë Kosova, forcat e sigurisë dhe të policisë së saj.

Kësisoj, gradualisht do të provohet në praktikë se masat ndaj Kosovës ishin të gabuara. Madje unë besoj se ato ishin qoka për Aleksandër Vuçiq, që ai të ndalte retorikën se “Kosova është djali i Perëndimit”!”, përfundon profesori.