Këshilli Prokurorial i Kosovës(KPK), me 5 vota kundër nuk e ka miratuar Raportin e procesit të votimit për një anëtare të KPK-së.
Kryesuesi i Këshillit, Ardian Hajdaraj tha se për hir të opinionin sqaron se në mënyrë legjitime ka ardhur deri të ndarja e mendimit se ky Raport nuk duhet të miratohet, pasi sipas tij, procesi ka defekte serioze- duke përmendur edhe presione e premtim për avancime në sistem, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Këta anëtarë që thonë se procesi ishte i mirë, premtuan favore sepse kemi informata nga prokurorë, favore që lidhen me avancimin e tyre, bënë vlerësim të perfomancës në mënyrë të pamerituar dhe po ashtu amnistuan prokurorë nga procedura disiplinore. Këto vendime janë publike edhe për performancë edhe për disiplinë”, tha ai.
Kryesuesi lexoi një mesazh që sipas tij një prokuror e ka deponuar te një kryeprokuror ku tregohej sipas tij presioni që kryetari i procesit zgjedhor Arian Gashi ka bërë.
“Përshëndetje Kryeprokuror, hiç mos të vjen keq, unë e jap arsyetimin ditën e hënë (sepse ka kërkuar sqarimin pse nuk ka ardhë me votu), do të vijë ditën e hënë kur të vijë në Pejë, e sheh sa herë më ka thirrë dhe shkruar për me shku me votu kandidaten e tij. Veç deshta me ia rikujtu Arianit se me votu është e drejtë ligjore dhe assesi nuk është obligim, me logjikën e tij, qytetarët që nuk marrin pjesë në zgjedhje duhet me i dënu”, ka lexuar kryesuesi mesazhin.
Paraprakisht, ai tha se nuk ka certifikim të rezultatit pa shqyrtim të raportit, për çka tha se duke e zvarritur procesin është munduar të bëhet në këtë formë, pra certifikim automatik.
“Tash e kuptoj se prokurori Arian hezitoi ta shqyrtojë raportin, sepse opinoni publik e kupton qartë rolin e tij në këtë proces”, u shpreh Hajdaraj.
Në lidhje me këtë, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli u shpreh se kjo është një situatë e re, për të cilën, sipas saj, duhet të ndiqen rrugët e duhura ligjore.
“Si ka mundësi që një kryetar i Komisionit të cilit Këshilli ia ka besuar një punë kaq të rëndësishme të përfshihet në kësi lloj sjellje. Unë do kisha kërkuar që autoriteti kompetent ta iniciojë këtë çështje meqë është shumë serioze. Kryetari i komisionit, jo që nuk ka vend më këtu, por e sjellë veten para përgjegjësisë disiplinore, para përgjegjësisë penale”, u shpreh ajo.
Sipas saj, ky proces është kamufluar që të duket bukur, por, që realiteti nuk është ashtu. Tha se kanë lejuar që të bëhet një rregullore e kundërligjshme që të zgjedhin një anëtare grua.
Paraprakisht, edhe anëtari Milot Krasniqi ka thënë se procesi nuk ka pasur vetëm shkelje të karakterit teknik, por shkelje substanciale që duhet të trajtohen.
“Nuk ka certifikim automatik, Këshilli nuk ka rol vetëm ceremonial”, ka thënë ndër të tjera ai.
Takimi vazhdoi me dyer të mbyllura për të vendosur lidhur me dy raste disiplinore, për çka u kthyen edhe anëtarët tjerë.
Ndryshem gjatë Konferencës Vjetore të Prokurorëve, më 1 nëntor 2025, Elza Bajrami-Kastrati mori 74 vota për mandatin pesë vjeçar si anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

