Një raportim i NZZ-së për bisedime konfidenciale Kosovë–Serbi në Solothurn ka nxitur reagime në Kosovë, pasi këshilltari i Besnik Bislimit e mohoi takimin e tij me Marko Gjuriqin.
Zvicra po lehtëson prej vitesh një kanal jozyrtar komunikimi mes Kosovës dhe Serbisë, i zhvilluar në Solothurn, me synim ndërtimin e besimit dhe uljen e tensioneve, raporton gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ).
Sipas artikullit, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (EDA) konfirmon se i organizon “Solothurn-Gespräche” dy deri tri herë në vit. Në këto bisedime marrin pjesë përfaqësues të qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile, ndërsa palët vendosin vetë se kë dërgojnë. Zvicra, sipas EDA-së, synon të krijojë hapësirë për dialog diskret larg kamerave, pa diktuar zgjidhje.
Si partnere e formatit përmendet edhe një OJQ amerikane, Council for Inclusive Governance, ndërsa takimi i fundit, sipas NZZ-së, është mbajtur në fillim të dhjetorit.
NZZ shkruan se për një kohë të gjatë këto bisedime kanë mbetur jashtë vëmendjes publike dhe shton se, ndonëse në Zvicër nuk ka qenë e ditur publikisht se nga të dyja palët kanë marrë pjesë rregullisht edhe ministra, “sipas disa burimeve” mes pjesëmarrësve janë përmendur edhe Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialog, si dhe Marko Gjuriq, ministër i Jashtëm i Serbisë.
Pas publikimit të artikullit, këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, e kundërshtoi interpretimin për “takime të fshehta” dhe mohoi takimin Bislimi–Gjuriq. Ai deklaroi se këto iniciativa ekzistojnë dhe organizohen edhe nga Zvicra, por “nuk janë të fshehta”, duke shtuar se Bislimi ka qenë i ftuar si folës në një takim ku Gjuriqi nuk ka qenë pjesëmarrës dhe se Bislimi “nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriq dhe kurrë nuk e ka takuar”.

