Në ditën e 43-të të protestës së banorëve të Rrjollit kundër resortit turistik, situata mes tyre dhe efektivëve të policisë është tensionuar sërish sot.
Në pamjet e publikuara nga Portali Veriu Sot, banorët shikohen duke u konfrontuar fizikisht me Policinë e Shtetit, të cilët tentojnë t’i largojnë nga zona.
“O hajna, o serbë! Mos guxoni të na prekni me dorë, jemi në tokat tona”, dëgjohen banorët e Rrjollit duke iu drejtuar efektivëve të Policisë me tone të larta.
Nga përplasjet e ashpra të ndodhura mesditën e sotme mësohet se disa prej tyre kanë marrë lëndime dhe ndodhen në qendra spitalore, ndërsa të tjerë janë vënë në pranga.
Sakaq, thuhet se protestës së sotme i janë bashkuar edhe qytetarë nga vende të tjera të Shqipërisë.
Kujtojmë se prej më shumë se një muaji banorët e Rrjollit po protestojnë kundër realizimit të resortit turistik “Blue Borgo”, për të cilin janë shprehur se është i padrejtë, sepse dokumentet e pronësisë vërtetojnë se prona është e tyre.
Nga ana tjetër, kompania që pritet të realizojë projektin në zonën e Baks-Rrjollit ka reaguar duke theksuar se realizimi i resortit turistik është në përputhje të plotë me ligjin.
