Një në katër fëmijë të vegjël në Evropë është mbipeshë, ndërsa një në dhjetë është obez, sipas raportit më të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO). Situata është më shqetësuese në Evropën jugore, ku afërsisht një në pesë fëmijë jeton me obezitet.
Raporti i OBSH-së, që përfshiu të dhëna për rreth 470,000 fëmijë nga 37 vende, tregon se obeziteti tek fëmijët rrit rrezikun për diabet, sëmundje të zemrës, goditje në tru, kancer dhe sëmundje të tjera kronike në moshë të rritur.
Sipas studimit, djemtë janë më të rrezikuar se vajzat, me 13% të djemve të prekur nga obeziteti, krahasuar me 9% te vajzat. Raporti gjithashtu zbuloi se shumica e prindërve nënvlerësojnë peshën e fëmijëve të tyre: 66% e fëmijëve mbipeshë konsideroheshin nga prindërit si normalë ose nën peshë.
Studimi tregon gjithashtu se dieta e fëmijëve është e dobët: vetëm 32% e tyre konsumojnë perime çdo ditë, ndërsa 41% hanë ëmbëlsira, 29% pinë pije me sheqer dhe 16% konsumojnë ushqime të kripura më shumë se tre herë në javë. Fëmijët me prindër me arsim më të lartë kanë dieta më të shëndetshme.
Megjithatë, raporti tregon se shumica e fëmijëve janë aktivë të paktën një orë në ditë dhe 89% flenë të paktën nëntë orë, që janë faktorë të rëndësishëm për shëndetin. Problemi kryesor mbetet koha e madhe që kalojnë përpara ekranit: 42% e fëmijëve shpenzojnë të paktën dy orë në ditë gjatë javës dhe 78% gjatë fundjavës.
OBSH-ja rekomandon që vendet të ndërmarrin masa për të krijuar mjedise më të shëndetshme për fëmijët, duke përfshirë taksa mbi pijet me sheqer dhe ushqimet jo të shëndetshme, standarde më të larta ushqimore për ushqimin në shkolla dhe politika që promovojnë aktivitetin fizik.
“Mbipesha dhe obeziteti tek fëmijët mbeten shqetësuese dhe vazhdojnë të kërcënojnë shëndetin e gjeneratave të ardhshme,” tha Kremlin Wickramasinghe nga OBSH-ja.


