Lajme

Opozita “bllokon” presidentin: Vjosa Osmani përballë “inateve” politike

 
   

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, situata politike në Kosovë ka marrë një intensitet të ri.

Edhe pse rezultati i zgjedhjeve ende nuk është certifikuar dhe nuk ka filluar procesi formal për krijimin e qeverisë së re, ndërkohë që mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill, duke i vënë institucionet përballë sfidës për të siguruar vazhdimësinë e shtetit.

Në këtë kontekst, deklaratat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që refuzon të votojë kandidatin e propozuar për president, dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që kushtëzon votën me një marrëveshje politike, janë parë si shenja të një bllokimi potencial të institucioneve.

Ekspertët, theksojnë se këto qëndrime tregojnë një mungesë reflektimi nga partitë opozitare pas humbjes së zgjedhjeve dhe rrezikojnë të dëmtojnë funksionimin normal të shtetit, duke ushqyer tensionet politike dhe duke kërcënuar proceset demokratike. 

Kurse, mandati i presidentit shihet si një test për aftësinë e opozitës për të vepruar me përgjegjësi institucionale dhe respekt për demokracinë.

“Shkelja e demokracisë dhe rrënimi i shtetit nga paritë humbëse të zgjedhjeve”

Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i LQSHA, ka thënë për “Bota sot” se qëndrimet e PDK-së dhe LDK-së tregojnë se ato nuk e kanë pranuar humbjen dhe po vazhdojnë sjellje që dëmtojnë demokracinë dhe funksionimin e institucioneve. 

 Image
 Agim Aliçkaj 
 

Ai e konsideron bllokimin e zgjedhjes së presidentit si të keq dhe jonormal, edhe nëse nuk është shkelje kushtetuese.

“Më 28 dhjetor 2025, populli i Kosovës e ndëshkoi opozitën me votë për shkak të gabimeve katastrofale të së kaluarës dhe bllokimit të shtetit.        

Deklaratat e PDK-së se nuk do ta votojnë presidentin dhe të LDK-së se nuk do të votojnë askënd pa një marrëveshje politike tregojnë se ata nuk e kanë kuptuar se i kanë humbur zgjedhjet. Duket se PDK-ja po e konsideron një humbje të vogël si fitore, ndërsa LDK-ja po e trajton një humbje të madhe si diçka normale.

Është e qartë se krerët e partive opozitare e kanë humbur rrugën. Në vend që të reflektojnë dhe të ndryshojnë, të gjitha shenjat tregojnë se ata do të vazhdojnë me shkeljen e demokracisë dhe rrënimin e shtetit. Bllokimi i krijimit të institucioneve dhe i zgjedhjes së presidentit mund të mos jetë shkelje kushtetuese, por është i keq dhe jonormal në një shoqëri demokratike.

E vetmja shpresë që mbetet është që anëtarësia e gjerë e tyre të gjejë mënyrën për t’i detyruar ata të kthehen në rrugën e duhur. Grenellët, Ramët dhe miliona dollarët e Vuçiçëve nuk sjellin nder, por as nuk i ndihmojnë askujt. 

Situata aktuale dhe ecja përpara janë shumë të thjeshta. Fituesi i zgjedhjeve ka të drejtë dhe obligim ta propozojë kandidatin për president. Populli i Kosovës me të drejtë pret që Kryeministri Kurti ta nominojë znj. Vjosa Osmani Presidente edhe për këtë mandat. 

Arsyetimi është i thjeshtë: ajo i plotëson të gjitha kushtet, me aftësi dhe rezultate të pamohueshme. Kjo është në interes të Kosovës, të Kryeministrit Kurti me koalicionin e tij dhe të partive opozitare”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Aliçkaj ka theksuar se opozita mund ta refuzojë Vjosa Osmanin vetëm me fakte dhe argumente reale, jo me qëndrime personale apo emocionale. 

Sipas tij, deputetët opozitarë duhet ta votojnë ose të paktën të mos bojkotojnë seancën, pasi largimi nga salla është veprim antidemokratik dhe përgjegjës për bllokimin e shtetit. 

Ai paralajmëron se çdo dështim apo zgjedhje e re do t’u faturohet atyre nga populli

“Partitë opozitare mund ta refuzojnë znj. Osmani, por vetëm me fakte konkrete dhe argumente reale. Vërejtjet personale të bazuara në dëshira, preferenca, simpati etj., nuk kanë asnjë vlerë. Përndryshe, nëse e respektojnë demokracinë dhe shtetin e tyre, deputetët opozitarë duhet ta votojnë pa problem, ose të paktën të qëndrojnë në sallë.

Largimi nga vendi i punës nga ana e deputetëve është veprim antidemokratik, antishtetëror dhe antikombëtar. Faji për bllokimin dhe ngecjen e shtetit, si dhe për shkuarjen eventuale në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme, do t’u mbetet atyre dhe askujt tjetër. Kështu, ata do të përballeshin me një ndëshkim edhe më të rëndë nga populli.

Kundërkandidatët eventualë duhet t’i paraqesin kualifikimet e veta. Nuk na duhen “burra të mirë”, as “qyqana” që nuk ia prishin qejfin askujt, por personalitete me aftësi dhe rezultate të dëshmuara. Nuk ka kuptim të garojnë ata që nuk e njohin mirë gjuhën angleze. 

Është mendim i përgjithshëm se, në këtë moment, askush nuk i afrohet Presidentes Osmani. Po të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli, besohet se do t’i fitonte afërsisht 80% të votave. Kjo është mjaft unifikuese dhe mund të konsiderohet konsensuale për njerëz partiakë normalë.

Mesazhi i popullit është i qartë: ai dëshiron qetësi, demokraci dhe zhvillim. Vota popullore tregon se populli dëshiron të udhëhiqet nga Kryeministri Kurti me partinë Vetëvendosje dhe koalicionin e tyre, si dhe dëshiron që Presidente e vendit të vazhdojë të jetë znj. Vjosa Osmani”, ka deklaruar Aliçkaj.

“Opozita ngul këmbë, por ato këmbë nuk kanë rrënjë”

Kurse, opinionisti Dedë Preqi, në një prononcim për “Bota sot”,  ka deklaruar se Kosova, si shtet i ri dhe i vogël demokratik, po përballet me vështirësi politike dhe zhvillimore, prandaj është e domosdoshme të rishqyrtohen dhe ruhen vlerat demokratike. 

Ai vë në dukje se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, LVV me partnerët ka shumicën parlamentare për të formuar qeverinë pa opozitën, çka krijon mundësinë për të përmbushur detyra kyçe shtetërore, si miratimi i buxhetit 2026 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në interes të Kosovës.

 Image
 Dedë Preqi 
 

“Kosova si një vend i vogël dhe i ri demokratik, nuk po del aq lehtë pa probleme në rrjedhën e politikave dhe zhvillimit të saj. Dhe pikërisht duke u nisur prej këtu duhen të mendohen edhe njëherë ato vlera demokratike, aq gjerësisht të diskutuara deri më tani dhe për ti mos i humbur ato për shkak të fajeve tona.

Në fakt sot e kemi situatën e tillë, që mbas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, dhe konfirmimin e rezultatit të tyre, LVV me partnerët e saj del fituese me mbi 51%, apo 57 deputeteve në Kuvend, me ç’rast është mundësia të konstitiohet Kuvendi dhe formohet qeveria e re, duke pasur numrin e mjaftueshëm të deputeteve edhe pa opozitën.

Dhe çka vjen pas kësaj, kur kemi të bëjmë me detyrat e një çlirimi të brendshëm qeveritar, që Kosovën e presin, të cilat janë jetike dhe primare për vendin, siç është miratimi i buxhetit për vitin 2026, dhe shumë marrëveshje ndërkombëtare, në favor të Kosovës, të cilat presin një miratim nga Kuvendi dhe qeveria e re”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka potencuar se po krijohet një problem i panevojshëm nga opozita lidhur me zgjedhjen e presidentit/es, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill.

“Megjithatë, po ndjehet edhe një i problem, që ndoshta do të ishte i rëndësishëm, por i pa nevojshëm, që vjen nga zëri opozitarë, duke ngritë çështjen e zgjedhjes së presidentes, apo presidentit, me ç’rast presidentes aktuale z.Vjosa Osmani, i del mandati në prill të këtij viti, dhe tani kjo formë me deklaratat e pa matura dhe të pa kuptimta të opozitës, sikur ka marrë jehonë të madhe.

Deklaratat e opozitës, duke filluar nga PDK, e cila në këto momente ende pa ardhur deri në këtë pikë, kjo është deklaruar se nuk do ta votojë asnjë kandidat, që propozon LVV, për pozitën e presidentit, apo presidentes, duke sjellë në këtë mënyrë karikaturën e saj, që bënë me lojërat dhe manovrimet e saj për të penguar procesin e një çështje të tillë”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Preqi ka vlerësuar se edhe LDK, duke kushtëzuar votën me një marrëveshje politike, kontribuon në bllokadë, pasi partitë opozitare nuk ofrojnë një kandidat konsensual.

“Edhe LDK e thotë qartë, se pa një marrëveshje politike nuk e votojmë asnjë kandidat, duke ngulur këmbë njëra dhe tjetra, të cilat ndërkohë nuk janë të zotët të dalin me propozimin e kandidatit të tyre konsensual, si një mundësi për të treguar zgjidhje apo marrëveshje për të kaluar edhe këtë çështje, e cila është bërë tani virale në tërë vendin dhe më gjerë.

Në këtë këndvështrim, nuk do të thotë se këtu ka diktim të vullnetit qytetar, të cilin duhet respektuar dhe përkrahur, por ka një domethënie shumë egoiste dhe primitive, e cila është e « sëmuar «  dhe ka   simptome të  brendshme të mllefit ndërpartiak, që shkon në dëm të gjithë asaj, që të arrihet për shtetin dhe qytetarin e këtij vendi”, është shprehur Preqi.

Sipas tij, këmbëngulja e opozitës mund të çojë në një bllokadë të re institucionale, veçanërisht nëse harmonizohet me qëndrimet e Listës Serbe, gjë që mund ta shtyjë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja dhe ta mbajë opozitën larg pushtetit për një kohë të gjatë.

Sikur në këto momente, duke rënë në një paqartësi dhe mjegullirë, që mund të ia shkaktojmë vetvetes, dhe në anën tjetër është një tragjizëm tek i cili faji përpiqet ta përligj vetën, duke u vetshpallur i nevojshëm pa e përfillur vullnetin e popullit, i cili është ai që po na jep bukën dhe pa na ofron karrigen.

Zgjedhja e presidentit-es, mund të përdoret edhe si mjet i presionit politik, në njërën anë, por mund të përdoret edhe si pretekst i opozitës për pushtet, duke nënkuptuar pozitën aktuale si fuqi politike, rrolin dhe ndikimin e saj, të cilin e perceptojnë si « zgjedhë » e jo si pushtet normal dhe funksional.

Dhe pyetja, se këmbëngulja e opozitës a, është edhe një paralajmërim se vendi mund të përballet me një bllokadë të re institucionale ?

Një gjë e tillë është e mundur, nëse opozita në të shumtën e deklaratave të saj po i përshtatet deklaratave të Listës serbe, me siguri se mund të shkaktohet edhe një bllokadë e re, që Kosovën, mund ta qojë deri në zgjedhje të reja, të cilat për dikë mund të ia thyejnë qafën, dhe do mbetën në opozitë edhe për një kohë të gjatë”, ka deklaruar ai.

Në fund, Preqi ka shtuar se, opozita aktuale, përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe, mund të tentojë të bojkotojë zgjedhjen e presidentit/es, por një veprim i tillë nuk ka bazë reale dhe të qëndrueshme.

“Opozita e tanishme në krye me PDK, LDK, AAK, dhe Lista serbe, mund të ngulin këmbë, që propozimin e mazhorancës ta bojkotojnë zgjedhjen e presidentit, apo presidentes, duke mos marrë pjesë në Kuvend, por ato këmbë nuk kanë rrënjë të qëndrueshme, të cilat përbëjnë një të vërtetë dhe reale, sepse, jo që janë përpjekje për ti sjellë këtij vendi dhe këtij populli diçka të mirë, por vetëm në zhytje të një krize dhe më të thellë në dëm të shoqërisë dhe shtetit tonë.

 Po të ngulim këmbë për çështje dhe kauza në shërbim dhe ndërtim e zhvillim të vendit tonë, është meritë e madhe dhe respekt i përfituar në favor të të gjithëve, por të ngulim këmbë për asgjë dhe për inate ndërpartiake, e ndërvëllezërore, është një turp i madh, që do na mbulojë shtetin dhe kombin dhe do na shpërblehet keq nga pasardhësit tanë”, ka përmbyllur Preqi për “Bota sot”. 

 
 
 
 

 

Të Ngjashme