Pas pothuajse një viti bllokadash dhe mungese funksionimi të institucioneve, më 11 shkurt 2026 u konstitua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, me Albin Kurtin në krye.
Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit me 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenime. Po ashtu, Qeveria “Kurti 3” mori besimin e shumicës parlamentare, me 66 vota pro dhe 49 kundër.
Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e opozitës.
Që nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025, Kosova ka kaluar muaj të tërë pa institucione funksionale. Gjatë përpjekjeve të kaluara për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit, opozita disa herë ka braktisur sallën gjatë vitit 2025, duke penguar procesin e formimit të institucioneve.
Ekspertët vlerësojnë se zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dërguan një mesazh të qartë: qytetarët nuk pranojnë bllokadat dhe lojërat politike të opozitës. Ata shtojnë se vota e qytetarëve është “zëri që nuk mund të injorohet”. Kryetarja e Kuvendit duhej të ishte zgjedhur më herët, ndërsa opozita, e cilësuar si “e plagosur dhe e dërrmuar” nga rezultati, duhet të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në proceset shtetërore.
Muçiqi: Vota e qytetarëve është zëri që nuk mund të injorohet
Opinionisti Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se opozita ka kuptuar se populli nuk pranon obstruksionet dhe lojërat politike.

Opinionisti Ismail Muçiqi
“Më në fund, opozita e ka kuptuar se obstruksionet, bllokadat, hilet dhe prapaskenat nuk i do dhe nuk i pranon populli. Kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Parlamentin e Kosovës, ku qytetarët, me votën e tyre, ua treguan vendin të gjitha partive politike.
Koha tregoi se Albulena Haxhiu është dashur të zgjidhet Kryetare e Parlamentit qysh më 9 shkurt, kur u mbajtën zgjedhjet vitin e kaluar. Pikërisht për këtë arsye, partitë politike opozitare i bënë llogaritë e tyre dhe e kuptuan se “vota e popullit është zëri i Zotit””, ka thënë ai.
Gjithashtu, Muçiqi ka shtuar se opozita pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit është “e plagosur dhe e dërrmuar” nga vota e qytetarëve.
Ai ka theksuar se çdo përpjekje për të penguar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës do të ndëshkohet sërish nga populli.
“Opozita, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, është e plagosur dhe e dërrmuar nga dënimi përmes votës së lirë të qytetarëve. Andaj, nëse ka mbetur ende sadopak moral në politikë, opozita duhet të kontribuojë në procesin e zgjedhjes së Presidentes së Republikës së Kosovës.
Çdo tendencë për ta penguar apo bllokuar procesin e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes do të ndëshkohet sërish nga populli përmes votës së lirë. Më në fund, koha dhe situata na mësojnë se politika në Kosovë duhet, para së gjithash, të edukohet duke i përafruar interesat partiake me interesin madhor: ndërtimin dhe forcimin e shtetit”, është shprehur Muçiqi.
Ramadani paralajmëron: Zgjedhjet e shpeshta do të ishin “vdekje klinike” për opozitën
Ndërkaq, politologu, Albert Ramadani, ka thënë se vonesat gati njëvjeçare dhe rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit për LVV-në kanë ndikuar që blloku opozitar të qëndrojë në Kuvend gjatë zgjedhjes së Kryetares dhe Qeverisë së re, edhe pse nuk kanë votuar për ta.

Politologu, Albert Ramadani
“Vonesat, thuajse njëvjeçare, dhe rezultati i dhënë nga qytetarët për LVV-në kanë ndikuar te blloku opozitar që të marrë qendrime për të qëndruar në Kuvend gjatë zgjedhjes së Kryetares së Kuvendit dhe Qeverisë së re, edhe pse opozita nuk ka votuar as për kryetaren e Kuvendit dhe as për Qeverinë e re.
Me një fjalë, zgjedhjet e 28 dhjetorit janë indikator i një rrjedhe në qendrime për opozitën karshi pozitës, dhe ne të gjithë jemi në dijeni se sa herë u propozua emri i Albulena Haxhiut, opozita, për shkak të mungesës së numrave, nuk arriti ta kalonte numrin e deputetëve për ta votuar – më shumë se 57 vota nuk arriti pozita. Dihet se kjo ishte një dalje e përkohshme në zgjedhjen e Dimal Bashës për Kryekuvendar, dhe ashtu si ishte propozuar “aksidentalisht”, Dimali e kaloi mandatin”, ka thënë ai.
Po ashtu, Ramadani ka sugjeruar se kjo është një lojë strategjike për të arritur një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës, sepse nëse opozita nuk propozon ose nuk qëndron në Kuvend, vendi shkon automatikisht në zgjedhje, gjë që mund të ishte e rrezikshme për opozitën dhe mund t’i dobësonte ndikimin elektoral në vend.
“Tani, opozita, duke e ditur se ka rreth 66 vota, ka vetëm një mundësi për të mbajtur “ciklet” e saj – votimet si sot, ku kërkohen mbi 80 vota, dhe për buxhetin, i cili u shty për ditën e hënë.
Opozita ka një rol konstruktiv në zgjedhjen e postit të presidentit/es, por mbetet pyetja se sa “guxim” ka për të luajtur kartën e mosqëndrimit për të krijuar kuorum në zgjedhjen e presidentit/es.
Kryeministri Kurti, në ditët e para pas marrjes së mandatit të tretë, ka lënë të hapur mundësinë që është i gatshëm për të diskutuar emrin e presidentit.
Pas hapjes së kësaj teme, edhe pse jemi shumë afër 4 marsit, nga ajo që unë kuptova, presidentja Vjosa Osmani disi nuk e pëlqen të dëgjuarit e kryeministrit Kurti.
Presidentja menjëherë ka anuluar një pjesëmarrje shumë të rëndësishme, siç është Konferenca e Sigurisë në Mynih.
Në këtë takim, Kosova është ftuar që të përfaqësohet nga Presidentja, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i AKI-së. Të tjerët tashmë kanë udhëtuar dhe gjenden në konferencën e sigurisë në Mynih të Gjermanisë, e cila kryesohet nga Kancelari i Gjermanisë.
Pse ka ndodhur kjo? Ka të ngjarë se është e vetmja mundësi që më pas të arrihet ndonjë marrëveshje mes pozitës dhe opozitës, ku opozita t’i japë mundësi propozimit të një emri për president, dhe kjo shumë shpejt pas kthimit të Kryeministrit me delegacionin nga Gjermania.
Këtu ka një hatërmbetje të Vjosa Osmanit me qëndrimin e Kurtit. Nëse opozita nuk gjen rrugë për të propozuar emrin e presidentit dhe nuk qëndron në sallën e Kuvendit, vendi në mënyrë automatike shkon në zgjedhje.
Nëse shkojmë në zgjedhje, opozita nuk e di nëse do të forcohet apo do të ishte më mirë të qëndronte në opozitë për të pritur gabimet e qeverisjes Kurti 3, t’i argumentojë dhe më pas, kur të vijë koha e zgjedhjeve të rregullta, të bindë elektoratin e vet dhe të forcohet. Përndryshe, zgjedhjet e shpeshta për opozitën do të ishin një “vdekje klinike”, sepse qytetari nuk ndryshon mendim çdo javë apo muaj, por i duhen 2-4 vite për të ndryshuar qëndrim ndaj çdo qeverie që qeveris”, ka përfunduar Ramadani.
